“Ëndrra e Fadil Vokrrit”, mediumi spanjoll me artikull të veçantë për legjendën e futbollit kosovar

Mediumi “El Pais” e ka quajtur Fadil Vokrrin si ikonë të futbollit të Kosovës dhe gjithashtu e cilësuan edhe si “Maradona Shqiptar”.

Në artikull, tregohen shumë detaje interesante për Vokrrin.

Artikulli i tyre i përkthyer në gjuhën shqipe:

Në mesin e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, sulmuesi Fadil Vokrri u nominua si lojtari më i mirë i ish-Jugosllavisë.

Stadiumi i Prishtinës, ku Spanja përballet me Kosovën sonte mban emrin e tij, që vdiq në moshën 57-vjeçare, nga sulmi në zemër.

Është e pamundur të ndash futbollin kosovar nga figura e quajtur si Maradona kosovar. Në vitin 2016 ai arriti të inkuadrojë Kosovën në FIFA dhe UEFA.

Figura e lartë e tij nuk përfundon si futbollist, Vokrri si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, bëri të mundur që në vitin 2016 Kosova të njihej nga FIFA dhe UEFA. Pas kësaj, erdhi edhe drita e gjelbër për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.

Stadiumi kombëtar i Prishtinës, në të cilin Spanja përballet sonte me Kosovën, mban emrin e tij. Këtë moment, djali i Fadilit, Gramoz Vokrri, e cilëson si momentin më të rëndësishëm pas Pavarësisë.

Momenti më i rëndësishëm

“Pas ditës së shpalljes së pavarësisë, ai ka qenë momenti më i rëndësishëm për vendin tonë të ri. Babai im punoi shumë për të. Futbolli ishte jeta e tij dhe ai donte të promovonte vendin përmes ndeshjeve, duke bërë një projekt për të rinjtë në mënyrë që ata të shpëtonin familjet e tyre”.

Babai i tij është një simbol kombëtar, akoma protagonist i përditshëm i bisedave familjare në të cilat brezat që e parë e kujtojnë atë të luante me numrin e famshëm “9” të Prishtinës. Të dielat në kohët e Vokrrit ishin të zakonshme, u lehtësohej jeta të gjithëve pasi harronin problemet e tyre, e madje problem nuk ishte as uria.

“Për një ekip si Spanja,me të gjithë yjet e saj, të luash në stadiumin tonë është një ëndërr që i bën të gjithë kosovarët të lumtur,” vazhdon Gramozi.

Më e fortë se politika

I rekrutuar nga Partizani i Beogradit, me të cilin fitoi një ligë, Vokrri luajti 12 herë për ish -Jugosllavinë. Ai ishte pjesë e Hadzibegicit dhe ekipe të shquar të tjerë si Srecko Katanec dhe vëllezërit Vujovic të brezit para Prosinecki, Boban dhe Savicevic. “Kur ai luante, tregonte se futbolli është më i fuqishëm se politika ose çështjet etnike,” tha biri i tij.

Fama e Vokrrit kaloi kufijtë dhe ai u transferuar më pas në Fenerbahçe, dhe gjithashtu kaloi një pjesë të karrierës së tij në Nimes të Francës. “Babai im ishte i impresionuar nga tifozët turk, por gjithashtu ai ishte i hapur dhe nuk kishte probleme për të luajtur me futbollistët e të gjitha kombësive dhe kulturave,” vazhdon Gramoz Vokrri. Djali i tij bëri të ditur se Juventusi kishte patur kontakte me Vokrrin, por transferimi nuk mund të finalizohej.

“Ëndrra e Fadilit”

I pensionuar në Francë, pas luftës mes Kosovës dhe Serbisë, Vokrri u kthye në Prishtinë. “Ai u kthye për të punuar për të rinjtë, është krenari ajo që bëri, por tani ne duhet të krijojmë më shumë idhuj. E ardhmja është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj se kur rezultatet nuk janë të mira lojtarët tanë më të rinj preferojnë të luajnë për Zvicrën ose Gjermaninë ”, përfundon djali i një futbollisti i cili sonte do të kishte realizuar ëndrrën e tij të madhe, për të parë Kosovën të konkurronte kundër njërit prej skuadrave të mëdha evropiane.

“Futbolli kosovar u rrit falë figurës së sulmuesit të tij historik, Fadil Vokrri”, shkroi El Pais.

Kosova do të luajë ndaj Spanjës në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës “Katari 2022” në stadiumin “Fadil Vokrri”, jashtë të cilit ka një statujë që nderon figurën e idhullit kosovar. Ajo u përurua më 23 korrik, data e ditëlindjes së Vokrrit, ku u përfshinë edhe nderimet shtetërore.