Endrit Krasniqi konfirmon largimin nga Prishtina

Endrit Krasniqi ka vendosur të largohet nga Prishtina, pasi me skuadrën kryeqytetase i ka kaluar katër vjet.

Njëri nga mesfushorët më të mirë në Kosovë ka konfirmuar ndarjen me skuadrën bardhekaltër nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook.

Kransiqi ka qenë i shkurtër duke publikuar vetëm katër foto me katër trofe të fituar sa ishte pjesë e Prishtinës. 28-vjeçari ka fituar dy herë Kupën e Kosovës, një titull kampioni dhe një Superkupë të Kosovës.

“Faleminderit Prishtinë. Katër vite dhe katër trofe”, ka shkruar shkurtimisht Endrit Krasniqi. E ardhmja e tij pritet të jetë jashtë kufijve të Kosovës, pasi Krasniqi ka arritur marrëveshje me Shkëndijën e Tetovës.