Sami Lushtaku nuk ka treguar pendesë për fjalët e përdorura ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, të cilën e kishte cilësuar si: “niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike”.

Madje, gjatë një emisioni televiziv live, ai pati edhe një thirrje për kryetarin e partisë, Albin Kurti, duke thënë: “lidhi këto kudra”.

Për gjuhën e tij të rëndë, ka reaguar ashpër Vetëvendosje.

Reagimi i plotë:

“Kur Sami Lushtaku del e flet për ‘kudra që duhen lidhur’, nuk ka nevojë për shpjegime shtesë. Ai vetëm tregon se sa lehtë e sheh nënçmimin e qytetarëve dhe sa natyrshëm i vjen t’i trajtojë njerëzit si objekte për t’u urdhëruar e disiplinuar sipas humorit të tij.

Ajo që thotë Lushtaku lidhet drejtpërdrejt me praktikën e tij kontrolluese, por edhe me bindjen se gratë janë të manipulueshme, të drejtuara nga dikush tjetër dhe të ofendueshme sipas nevojës së retorikës së tij. Ironia e zezë është se për të, gratë janë objekt i thjeshtë nënçmimi, ndërkohë që prania e tij në politikë është një ofendim për demokracinë: regres, turp dhe dëmtim i hapur për subjektin që pretendon se e udhëheq, e mban të lidhur dhe e kontrollon njeri për njeri.

Po aq ironike është se dikush që ka kaluar vite duke i ikur drejtësisë, duke përzier politikën me frikën dhe duke mbijetuar në hijen e së kaluarës, sot kërkon të japë ‘leksione’ për kontroll të popullit. Në çdo demokraci normale, gjuha e tij do të ishte eksponat muzeal. Vetëm këtu ende del nëpër studio si ‘ekspert’ i lidhjes së kudrave.

Kosova nuk është stallë dhe as kooperativë e kohëve të errëta. Qytetarët nuk janë ‘kudra’; është dikush tjetër që ka mbetur i bllokuar në mënyrën primitive të kategorizimit të njerëzve.

Kur humbet argumenti, mbetet vetëm gjuha e dhunës. Deklarata të tilla dëmtojnë vetëm autorin e tyre. Në vitin 2025, këto britma nuk janë shenjë force, por dëshmi e panikut që po e mbyll kapitullin politik.”