Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka bërë të ditur se Granit Xhaka nuk është i lënduar, por thjesht kishte pushuar për ndeshjen e Premierligës kundër Bournemouthit, të mërkurën, në stadiumin “Emirates”.
Mesfushori me pasaportë zvicerane, i cili ka qenë në formë të shkëlqyeshme gjatë kohës së fundit, u la plotësisht jashtë skuadrës prej 18 futbollistëve, të zgjedhur nga Emery për ndeshjen kundër Bournemouthit, të cilën Arsenali e fitoi me rezultat 5-1.
Disa tifozë ishin shqetësuar se Xhaka ishte lënduar, pasi që kishte munguar në ndeshjen kundër Manchester Cityt dhe Huddersfieldit në shkurt, mirëpo Emery bëri të ditur se ai është gati për derbin kundër Tottenhamit, që zhvillohet këtë javë.
“A është Xhaka në rregull?, Po, ai është mirë. Sot e kishte pushim”, sqaroi Emery në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Në mungesë të Xhakës, Lucas Torreira dhe Matteo Guendouzi startuan në mesfushë të Arsenalit. Guendouzi e bëri gabimin që i kushtoi Arsenalit një gol, por kjo nuk pati rëndësi pasi skuadra e Emeryt arriti t’i shënojë pesë të tilla.
Për dallim nga Xhaka, i cili u bë e ditur se nuk ishte i lënduar, Emery mbeti i shqetësuar për Sead Kolasinacin, i cili u largua nga ndeshja e mbrëmshme pas 57 minutave lojë. Emery bëri të ditur se Kolasinaci kishte lëndim muskulor.







