Mungesa e gjatë

Emery thotë se Arsenali nuk duhet të ngutet me rikthimin e Koscielnyt

Laurent Koscielny është pranë rikthimit nga lëndimi i gjatë që e pësoi në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Atletico Madridit për Europa League, por trajneri i “topçinjëve”, Unay Emery nuk dëshiron të ngutet.

Sipas Emery, Arsenali duhet t’i tregojë përkrahje Koscielnyt, pasi mbrojtësi francez po kalon nëpër një moment të keq, derisa gjatë javës njoftoi pensionimin nga kombëtarja franceze.

“Ai është shumë i rëndësishëm për ne sepse është kapiteni ynë. Ai ka filluar këtë javë t’i bëjë disa stërvitje dhe ky është një lajm shumë i mirë për ne. Mendoj se duhet t’i qëndrojmë afër dhe t’i japim besim për arsye se ishte një lëndim i tmerrshëm. Duhet të kemi kujdes me rikthimin e tij në fushë”, tha Emery.

Koscielny që ka 51 paraqitje me Francën u konfirmua kapiten nga Emery pavarësisht se ishte jashtë fushave për arsye të lëndimit.