Arsenali mposhti dje në udhëtim 1-2 Bournemouthin, duke e dërguar në 17 serinë e ndeshjeve pa humbje në të gjitha kompeticionet, por në sfidën e djeshme u vërejt mungesa e Mesut Ozil që e shikoi takimin për 90 minuta nga banka rezervë.

Trajneri i “The Gunners”, Unay Emery tregoi se përballja me Bournemouthin ka qenë shumë fizike dhe kërkuese ndërsa spanjolli ishte i shqetësuar sesi do ta përballonte këtë gjë mesfushori turko-gjerman.

30 vjeçari nuk ka qenë një startues i rregullt në formacionin e Emeryt, ndërsa me mbrojtjen me 3 që ka filluar të aplikohet te klubi londinez situata e Ozil mund të komplikohet për sa i përket hapësirave.

“Ne menduam sesi mund të jemi më të mirë në këtë ndeshje. Vendosëm mos ta inkuadrojmë Ozilin për
shkak të kërkesave fizike që kishte ky ballafaqim dhe me intensitetin e lojës që ishte kundër nesh. Secili futbollist është i rëndësishëm, është një mundësi shtesë të përmirësohemi pasi që provuam edhe formacionin me 3 mbrojtës”, nënvizoi Emery.

Arsenali në fundjavën e ardhshme takohet me Tottenhamin në “Emirates” në derbin e Londrës, por Emery e ka kthyer fokusin te ndeshja e së enjtes ndaj Vorsklas në Europa League.

“Ndeshja me Vorsklan është e rëndësishme gjithashtu. Dëshirojmë ta mbyllim grupin në vendin e parë. Me Tottenhamin është një ndeshje e madhe dhe e rëndësishme për Premier Leaguen. Do ta përgatisim rrugën tonë hap pas hapi, të mendojmë fillimisht për Vorsklan dhe pastaj për Tottenhamin”, përfundoi Emery.