Emery refuzon të fajësojë Xhakën për barazimin me Crystal Palace

Trajneri i Arsenalit, Unay Emery preferoi të fokusohet te sakrifica e Granit Xhakës për të luajtur si mbrojtës i krahut të majtë para gabimit që e shtyu të shkaktojë penallti mesfushorin shqiptar.

Xhaka ishte fajtor në momentin e barazimit të Crystal Palace, që shënoi me Zahan në përfundim të ndeshjes për të ndaluar Arsenalin dhe serinë e jashtëzakonshme prej 11 fitoreve rradhazi në të gjitha kompeticionet.

Emery ka refuzuar të akuzojë Xhakën, i cili më herët gjatë sfidës kishte kaluar “The Gunners” në epërsi me një gol fantastik nga gjuajtja e lirë.

“Jam i zhgënjyer me rezultatin por me pjesën tjetër jo. Mendoj se barazimi nuk është një rezultat i keq për ne, është më mirë të fitosh por kur i shikon 90 minutat ndaj Crystal Palace është mirë edhe kështu. Sjellja e Xhakës është shumë e mirë, për shkak se ai është mesfushor që luan në krahë të mbrojtjes. Kualitetet e tij dalin në pah më shumë në mesfushë por me qasjen e tij nuk kam asgjë për të thënë”, u shpreh Emery.

Xhaka shkoi të festojë me Emeryn në momentin e golit të tij, teksa trajneri spanjoll zbuloi se kishin folur për këtë gjë duke iu referuar ekzekutimit perfekt që 26 vjeçari iu bën goditjeve standarde.