Trajneri i Arsenalit

Emery paralajmëron një përforcim në mbrojtje

Unay Emery e ka pranuar se Arsenali mund të detyrohet të ndërhyjë në janar për të transferuar një mbrojtës pas problemeve me lëndime në këtë repart.

Alternativat e Emeryt në mbrojtje janë të limituara pasi Rob Holding e ka përfunduar sezonin për shkak të lëndimit në gju në ndeshjen e mesjavës së kaluar kundër Manchester Unitedit, ndërsa kapiteni i Arsenalit, Laurent Koscielny do të paraqitet sonte ndaj Qarabagut për herë të parë për “The Gunners” që nga maji kur pësoi lëndim në thembër që e la veteranin jashtë triumfit të Francës në Kupën e Botës gjatë verës së kaluar.

Në anën tjetër dyshja e konfirmuar e mbrojtjes te Arsenali, Shkodran Mustafi dhe Sokratis nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen e fundjavës ndaj Southamptonit në Premier League, për arsye suspendimi, gjersa talenti Konstantinos Mavropanos nuk është aktivizuar fare këtë sezon pas problemeve në ijë.

Emery nuk e ka përjashtuar mundësinë e blerjes së një mbrojtësi në janar pas emergjencës së shfaqur.

“Nëse mund ta transferojmë një mbrojtës që mund të na ndihmoj, mendoj se do të ishte zgjedhje e mirë. Por nuk do të jetë e lehtë ta transferojmë dikë”, theksoi Emery.

Arsenali është në një seri të jashtëzakonshme prej 21 ndeshjeve pa humbje në të gjitha kompeticionet gjersa e ka siguruar kualifikimin për në fazën e ardhshme të Europa Leagues nga vendi i parë në grup.