Rikthimi i francezit

Emery nuk siguron se Koscielny mund të aktivizohet ndaj Southamptonit

Trajneri i Arsenalit, Unay Emery është i kujdesshëm të mos ketë kërkesa të shumta në drejtim të mbrojtësit francez, Laurent Koscielny, derisa kapiteni i “The Gunners” mbrëmë zhvilloi ndeshjen e parë pas 224 ditëve, si pasojë e lëndimit të rëndë që e pësoi në thembër.

Koscielny ishte lënduar në sfidën e dytë gjysmëfinale ndaj Atletico Madridit në Europa League, majin e kaluar, ndërsa mbeti jashtë edhe kombëtares së Francës që triumfoi në Kupën e Botës verën e kaluar në Rusi.

Shkodran Mustafi dhe Sokratis janë të suspenduar, kurse Rob Holding e ka përfunduar sezonin pas lëndimit në gju.

Koscielny zhvilloi 72 minuta ndaj Qarabagut, ndërsa emergjenca në repartin e mbrojtjes në prag të ndeshjes së fundjavës ndaj Southamptonit duket se nuk do ta detyrojë Emeryn të startojë me 33 vjeçarin.

“Sonte ishte një tjetër hap për Koscielnyn. Duhet ta shohim të premtën dhe të shtunën nëse ai do të mund të na ndihmojë në ndeshjen e rradhës. Është zhvillim pozitiv që është rikuperuar nga lëndimi në një kohë të mirë, çdo tifoz dhe lojtar i Arsenalit është i lumtur. Koscielny mund të rifitojë besimin dhe ritmin pastaj të vazhdojë me këtë proces. Ndoshta ai mund të luajë ndaj Southamptonit por më duhet ta shoh sesi ndihet”, deklaroi Emery.

Fitorja e Arsenalit ndaj Qarabagut ishte e 5-ta nga 6 ndeshjet e grupit në Europa League, gjersa Emery është në ndjekje të trofeut të 4-të në këtë kompeticion, pas 3 titujve të fituar me Sevillan.