Shkak kartonët

Emery nuk shqetësohet për rrezikun e mungesës së Torreiras ndaj Liverpoolit

Mesfushori i Arsenalit, Lucas Torreira është një ndeshje larg suspendimit për shkak se deri më tani është ndëshkuar në 4 raste me karton të verdhë, por trajneri Unay Emery ka thënë se nuk do ta këshillojë uruguaianin që të luajë me kujdes.

Torreira së bashku me Guendouzin rrezikojnë të mungojnë ndaj Liverpoolit në ndeshjen e fundit për këtë vit, në rast se ndëshkohen me karton të verdhë kundër Brightonit në takimin e sotëm.

“Do ta luajmë ndeshjen e rradhës ndaj Brightonit duke mos e konsideruar mundësinë e të qasurit në lojë me masa paraprake. Sfida me Brightonin e ka vlerën e njëjtë me atë kundër Liverpoolit, dhe ne fillimisht do të luajmë me Brightonin, një kundërshtar i vështirë. Nuk dua që Torreira të mendojë për mundësinë e mungesës në rast të një kartoni. Na duhen të gjithë lojtarët të kenë 100% të fokusit te ndeshja të cilën e zhvillojnë”, theksoi Emery.

“The Gunners” u përgjigjën me fitore përballë Burnleyt për dy humbjet e fundit ndaj Southamptonit dhe Tottenhamit, ndërsa trajneri i londinezëve, Emery ka kërkuar nga skuadra e tij të fokusohet më shumë te mos pësimi i golave.

“Dëshiroj që secili lojtar të jetë protagonist në fushë, me gola dhe asiste. Defekti jonë, të cilin duhet ta përmirësojmë është të mbajmë portën e pa prekur dhe të mos i lejojmë mundësi kundërshtarit”, përfundoi Emery.