Emery i kënaqur me paraqitjen e Xhakës në rikthimin te Arsenali

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, e lavdëroi mesfushorin Granit Xhaka për paraqitjen e tij, pasi ky i fundit ishte titullar në disfatën me rezultat 1-2 në shtëpi të “Topçinjve” kundër Eintracht Frankfurtit, në kuadër të Ligës së Evropës.

Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare ishte titullar për herë të parë që kur kishte reaguar i zemëruar ndaj tifozëve të Arsenalit që e fishkëllyen kur po zëvendësohej në ndeshjen kundër Crystal Palace në tetor. Përderisa ai e lëndoi kyçin gjatë ndeshjes me Frankfurtin, ai e duroi dhimbjen dhe luajti për 90 minuta të plotë.

Frankfurti i kishte humbur tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat – fitorja e tyre e fundit kishte qenë ajo tronditëse me rezultat 5-1 kundër Bayernit që bëri që Niko Kovac të shkarkohet nga posti i trajnerit të gjigantit gjerman.

Teksa Emery s’ishte i kënaqur me rezultatin e ndeshjes të së enjtes, atij i bëri përshtypje paraqitja e mesfushorit 27-vjeçar, për të cilin ishte menduar se mund të mos luante kurrë më për Arsenalin.

“Xhaka dëshironte të vazhdojë të luajë. Paraqitja e tij sot ishte e mirë dhe ai i ndihmoi skuadrës. Unë po tregohem pozitiv por gjithashtu realist dhe ne humbëm kundër një rivali të mirë”, tha Emery në një intervistë të dhënë për BT Sport.

“Ne jemi përmirësuar nga ndeshja jonë e fundit dhe jemi ende të parët dhe e kemi mundësinë të kualifikohemi në fazën me eliminim direkt, por sonte e humbëm rastin tonë”.

“Pesë apo dhjetë minutat e parë të pjesës së dytë ishin të mira, por pastaj e humbëm kontrollin për 15 minuta dhe nuk mund ta ndryshonim më rezultatin. Tentuam të ktheheshim, por nuk krijuam mjaftueshëm raste të mira për të shënuar”.