Emery i bindur se e ka kohën e nevojshme në dispozicion për të ndërtuar Arsenalin

Unay Emery ka besim se mbështetet nga bordi drejtues i Arsenalit pavarësisht formës së dobët nëpër të cilën po kalojnë londinezët.

Emery ka thënë se e ka lirinë për të operuar te Arsenali, të cilën nuk e ka pasur asnjëherë në karrierën e tij, gjersa ka hedhur poshtë spekulimet se mund të përballet me një shkarkim të parakohëshëm.

Trajneri spanjoll pasoi në stolin e “The Gunners” legjendën Arsene Wenger, duke nënshkruar kontratë 3 vjeçare me klubin nga “Emirates”, ndërsa raportohet se në kontratë është vendosur një klauzolë që parasheh prishjen e bashkëpunimit pas dy sezoneve.

Kualifikimi për në Champions League është objektiv i Emery që ditë më parë e pranoi se gjasat janë vështirësuar pas humbjes kundër West Hamit.

“Si trajner gjithmonë e kam vendosur veten në presion për të fituar. Fitoret iu mundësojnë të vazhdoni punën që po bëni apo të zgjedhni një projekt tjetër. Dhe nëse humbni dihet që gjithçka përmbyset. Por te Arsenali është ndoshta hera e parë që e kam ndjesinë e mbështetjës së klubit që ndërtojmë gjithçka nga fillimi në mënyrë që të mbërrijmë atje ku synojmë”, nënvizoi trajneri spanjoll.

Emery që më parë ka qenë trajner i Valencias dhe Sevillas në Spanjë, Spartak Moscow në Rusi dhe Paris Saint Germainit në Francë, tregoi se intensiteti i futbollit anglez është në një tjetër nivel që e vështirëson synimin e të qenurit të suksesshëm.