Arsenali kushte një ndeshje të lehtë në letër të dielën, sepse priste Brightonin e relaksuar pas arritjes matematike të mbijetesës, por në Angli nuk ka ndeshje të lehta dhe duket se dështimi i Manchester United në Huddersfield nuk ishte një kambanë alarmi për Topçinjtë,.

Një barazim dëshpërues 1-1, që praktikisht shuan shpresat e Arsenalit për vendin e katërt, ndaj trajneri Unai Emery e pranon se tani e tutje synimi i vetëm është triumfi në Europa League, për të shpëtuar sezonin.

“Kam biseduar me lojtarët, Premier League është kompeticioni më i mirë për të gjetur vazhdimësi në lojë. Jemi 27 pikë larg kreut, kjo është diferencë e frikshme. Duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë për të ndërtuar një të ardhme ndryshe, ky sezon ka shërbyer për të mësuar. Në të ardhmen duhet të zvogëlojmë diferencën me kreun, sepse aktualisht jemi si nata me ditën me Manchester City e Liverpool”.

Të enjten Arsenali do të luajë kundër Valencias në Mestalla dhe i duhet të mbrojë avantazhin 3-1 të ndeshjes së parë.

“E dimë që do jetë shumë e vështirë, por kemi shkuar shumë larg dhe tani duam ta fitojmë Europa League. Është një titull me rëndësi të jashtëzakonshme në këtë pikë të sezonit, sepse është edhe kualifikimi në Champions League në lojë. Për këtë arsye, Europa League është prioritet absolut”.