Emery e mbron Xhakën, përkundër penalltisë zhgënjyese: Jam krenar me të

Unai Emery ka këmbëngulur se Granit Xhaka luajti shumë mirë për Arsenalin kundër Tottenhamit, edhe pse mesfushori shqiptar e shkaktoi një penallti në pjesën e parë të derbit londinez që u mbyll baras 2-2 të dielën.

Përfaqësuesi i Zvicrës ndërhyu ashpër ndaj Son Heung-min duke dështuar ta kapë topin dhe ndërhyrja e tij u sanksionua me penallti, të cilën në gol e realizoi sulmuesi Harri Kane.

Tottenhami po udhëhiqte 0-2 nga ai moment pasi Christian Eriksen kishte shënuar paraprakisht.

Xhaka u kritikua ashpër për penalltinë e shkaktuar, edhe pse Arsenali luftoi fort për ta barazuar rezultatin dhe për ta fituar një pikë mbresëlënëse, falë golave të Alexandre Lacazette dhe Pierre-Emerick Aubameyang.

Trajneri i Arsenalit, Emery, megjithatë, thotë se paraqitja e 26-vjeçarit nga Kosova prodhoi më shumë aspekte pozitive sesa negative.

“Unë jam shumë krenar me punën e tij gjatë 90 minutave. Ne mund t’i bëjmë disa gabime dhe më duhet t’i përdorë ato për t’u përmirësuar dhe për të përparuar. Patëm më shumë aspekte pozitive kolektivisht, individualisht dhe në rastin e Xhakës”, tha Emery.

“Penalltia është një rast që është shumë zhgënjyes. Ai punoi shumë mirë. Ai luajti shumë mirë. Sikur të kishim fituar, mbase do të kishim folur më pak për gabimet”, theksoi ai.

loading…