Emery e konfirmon: Xhaka mund të mos luajë më kurrë për Arsenalin

Unai Emery e ka pranuar se Granit Xhaka mund të mos luajë më kurrë për Arsenalit dhe se mundësia për ta shitur mesfushorin gjatë afatit kalimtar të janarit është diskutuar në klub.

Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare nuk ka luajtur për “Topçinjtë” që kur i shau tifozët e klubit të vet në Emirates, përderisa ata po e fishkëllenin kur po zëvendësohej në ndeshjen kundër Crystal Palace, më 27 tetor.

Dhe Xhaka – të cilit iu mor shiriti i kapitenit pas atij incidenti – mund të mos jetë pjesë e skuadrës që udhëton në Leicester City të shtunën pasdite, pasi që Emery ka vendosur ta lërë atë jashtë skuadrës pasi Xhaka e bëri të qartë se ai nuk është ende gati të luajë.

27-vjeçari do të luajë për Kombëtaren e Zvicrës gjatë dy javëve në vazhdim, mirëpo Emery nuk e di ende nëse ai do të jetë pjesë e planeve të klubit londinez kur të kthehet në Angli, për ndeshjen e Arsenalit kundër Southamptonit.

“Nuk e di nëse ai do të luajë sërish. Nëse ai është mentalisht i gatshëm të na ndihmojnë dhe të vazhdojë ta mbrojë fanellën e Arsenalit, mendoj se koha do të na i tregojë zgjidhjen”, ka thënë Emery.

“Nëse unë vendos se ai është në grup me ne, nëse ai është gati, është 100 për qind gati në mendjen e tij për të na ndihmuar me cilësinë e tij… ne e dimë se kemi nevojë për atë cilësi dhe për atë lojtar”.

“Është e rëndësishme që ne të qëndrojmë tani me Granitin. Ne do të vazhdojmë përpara, por klubi e di se si po mendon ai për momentin dhe edhe se si jam duke menduar unë për të gjithën këtë situatë”.

Për Xhakën nëpër media është raportuar se mund të transferohet në ndonjë klub tjetër gjatë afatit kalimtar të janarit dhe Emery e ka konfirmuar se hierarkia e klubit ka biseduar për një transferim të mundshëm të tij.

“Por, unë e kam bërë këtë pyetje. Klubi e di vendimin e lojtarit për momentin dhe idenë time për këtë situatë dhe rrethanat. Ne jemi tani më të dobët pa të në pozitën e tij sepse e kemi një lojtar më pak që mund të luajë aty”, shtoi Emery.

“Për momentin unë nuk jam duke menduar për mundësinë e shitjes së tij sepse jemi në nëntor dhe do të luajmë shumë ndeshje në nëntor dhe në dhjetor. Nuk mund ta ndryshojmë atë brenda dy muajve”.

loading…