Si pasues i Mourinhos

Emery e këshillon Pochettinon të mos shkojë te Manchester United

Mauricio Pochettino është në mesin e kandidatëve kryesorë për t’u ulur në stolin e Manchester Unitedit pas shkarkimit të Jose Mourinhos, por trajneri i Arsenalit, Unay Emery e ka këshilluar argjentinasin të mbetet te Tottenhami.

Qëndrimi i Mourinhos në “Old Trafford” zgjati 2 vite e gjysmë, ndërsa dje drejtuesit e “Djajve të Kuq” morën vendimin për shkarkimin e trajnerit portugez pas humbjes në derbin e fundjavës së kaluar ndaj Liverpoolit, teksa United ka 19 pikë më pak se “The Reds” që janë lider të Premier Leagues.

Manchester United konfirmoi se për pjesën e mbetur të sezonit do të emërohet një trajner i përkohëshëm, ndërsa Pochettino ka qenë i lidhur vazhdimisht me kalimin te 20 herë kampionët e Anglisë pas futbollit atraktiv dhe të suksesshëm që ka aplikuar fillimisht te Southamptoni dhe pastaj te Tottenhami.

Megjithatë, Unay Emery në prag të përballjes së sontme ndaj Tottenhamit në EFL Cup, ka thënë se ish trajneri i Espanyolit duhet të mbetet te “Spurs”.

“Mendoj se ai është shumë i lumtur te Tottenhami ku është trajner i një klubi të madh me futbollistë të mëdhenj. Ata vazhdojnë të jenë në Champions League dhe për momentin ndodhen në pozitë më të mirë se Manchester Unitedi. Nuk e di nëse synon të ndryshojë ambient por me përkushtimin e tij e ka përmirësuar shumë Tottenhamin”, nënvizoi Emery.

Përballja e sontme mes Arsenalit dhe Tottenhamit është e dyta që do të zhvillohet brenda këtij muaji, derisa në të parën triumfuan “The Gunners” me rezultat 4-2.

Sidoqoftë, Emery pret një ndeshje tërësisht tjetër duke thënë se Tottenhami do të jetë i etur për t’u hakmarrur.

Ballafaqimi Arsenal-Tottenham zhvillohet sonte me fillim prej orës 20:45.