Emery beson se Arsenali do të ketë një sezon të mirë
Unai Emery beson se Arsenali mund të arrijë diçka të rëndësishme këtë sezon, duke sugjeruar se skuadra e udhëhequr nga ai do të përfundojë të paktën në top katërshe në Premierligë.
Topçinjtë e kanë humbur vetëm një ndeshje deri tani këtë sezon në ligë dhe mund ta rimarrin pozitën e tretë në renditje nëse e mposhtin Sheffield Unitedin sonte në mbrëmje.
E udhëhequr nga trajneri spanjoll Emery, Arsenali po bën mirë edhe në dy garat e tjera, Carabao Cup dhe Europa League.
Arsenali humbi ndaj Chelsea në finale të Europa League sezonin e kaluar dhe përfundoi në pozitën e pestë në Premierligë, por Emery mendon se skuadra e tij tani do të arrijë dicka më të rëndësishme, pas bisedimeve të përditshme me shefin e futbollit në klub, Raul Sanllehi dhe drejtorin teknik, Edu.
“Po bisedoj me Raul, Edu dhe lojtarët çdo ditë. Puna jonë është më e rëndësishme se fjalët tona dhe tani jam vërtet i lumtur në klub”, tha Emery.
“Jam i lumtur me lojtarët. Në dy, tri, katër javët e fundit, çdo lojtarë po punon shumë mirë, përfshirë Mesut Ozilin”, shtoi ai.
“Prandaj ne mund të jemi pozitivë dhe mendoj se do të arrijmë diçka të rëndësishme këtë vit”, theksoi ai.