NBA

Embiid udhëheq 76-ers drejt suksesit, Jokic nuk mjafton për Denverin

Në “Wells Fargo Center” të Philadelphias u zhvillua një nga sfidat më interesante të mbrëmjes së djeshme, në NBA-në amerikane, ajo mes 76-ers dhe Charlotte Hornets, e cila u fitua nga vendasit me rezultatin 133-132, vetëm pasi ishte luajtur edhe koha shtesë.

Fraksioni i parë i sfidës ishte spektakolar dhe përfundoi në barazim 33-33, ndërsa basketbollistë të të dy skuadrave morën duartrokitjet e publikut, për lojën e shpejtë dhe të bukur. Philadelphia 76-ers dominoi më pas në pjesën e dytë, të cilën e fitoi 32-17, duke u shkëputur me 15 pikë distancë.

Gjithsesi Hornetts u zgjuan në gjysmën e dytë të ndeshjes, duke rikuperuar disavantazhin dhe duke bërë që koha e rregullt të mbyllej në barazim 119-119, ndërsa fati i takimit u vendos në kohën shtesë, ku 76-ers fituan 14-13 dhe të gjithë sfidën 133-132.

Kamerunasi Joel Embiid ishte lojtari i ndeshjes, pasi zhvilloi një sfidë vërtetë spektakolare, duke shënuar plot 42 pikë, 4 asiste dhe 18 rikuperime në tabelë, në një mbrëmje vërtetë magjike për të.

Denver Nugets pësuan humbjen e dytë radhazi, teksa këtë herë u mposhtën në “Pepsi Center” nga Brooklyn Nets, me rezultatin final 110-112. Vendasit e nisën shumë keq takimin, duke humbur fraksionin e parë me rezultatin e thellë 24-34, ndërsa ndonëse krijuan një epërsi të lehtë në 3 pjesët e tjera, nuk arritën të ndryshojnë fatin e ndeshjes.

Basketbollisti i Denverit, Jokiç ishte më i miri i mbrëmjes, duke regjistruar shifra mbresëlënëse me 37 pikë, 3 asiste dhe 21 rikuperime, por skuadra e tij nuk arriti t’i përgjigjet të njëjtit nivel dhe performanca e serbit shërbeu vetëm për sodisfaksion personal.

Fitore mori edhe Sacramento Kings, që pas dy humbjesh radhazi, arriti të mposhtë Minessota Timberwolves me rezultatin 121-110, në një sfidë që përveç fraksionit të parë, u kontrollua tërësisht nga vendasit. Edhe këtu lojtari i ndeshjes ishte nga skuadra humbëse Timberwolves dhe bëhet fjalë për Towns, që regjistroi 39 pikë, 1 asist dhe 19 rikuperime.

Në sfidat e tjera, Orlando Magic mposhti Washington Wizards me rezultatin 117-108, Atlanta Hawks u dorëzua ndaj Detroit Pistons me rezultatin 109-124, ndërsa Utah Jazz triumfoi ndaj Boston Celtics 123-115.