Eliminoi Mourinhon, Lampard pret me ankth rikthimin në “Stamford Bridge”

Trajneri i Derby County, Frank Lampard mezi pret të shijojë rikthimin e tij të parë në Londër, me destinacion “Stamford Bridge”, këtë herë jo më në rolin e futbollistit, kur të ndeshet të mërkurën me Chelsean në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Ligës, pasi eliminuan Manchester United të Jose Mourinhos në raundin paraardhës.

Lampard konsiderohet të jetë një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave të “bluve” londinezë, teksa shënoi 211 gola – një rekord për Chelsean, – dhe fitoi 11 trofe të rëndësishëm mes viteve 2001-2014, përfshi këtu edhe Championsin e vitit 2012 dhe 3 tituj kampionë në Premier League.

“Është një short special për mua, që do të më bëjë të rikthehem e të rishoh njerëz tashmë prapa skenave, por edhe një stadium me mbi 40 mijë miq”, tha 40-vjeçari përpara ndeshjes së raundit të katërt në “Stamford Bridge”.

“Jam bërë gjithnjë e më shumë i emocionuar me kalimin e moshës. Këto gjëra padyshim të prekin, sepse më bën të kuptoj sesa i rëndësishëm ka qenë Chelsea për mua në jetën time, e sigurisht edhe atë se çfarë i detyrohem unë në aspektin falënderues”.

Lampard, gjithsesi po e shijon edhe jetën e tij të re te Derby County, ekip që renditet në vendin e 6 të Championshipit (kategoria e dytë angleze), vetëm 4 pikë larg kreut.

“Derby është vendi ku unë punoj tani dhe kam një afrimitet të madh me këtë klub. Po punoj fort për t’u përpjekur të bëj diçka të mirë këtu, e padyshim që më pëlqen puna që bëj. Por, nuk mundem kurrsesi të harroj 13 vite të karrierës sime. Ajo ka qenë një periudhë speciale për mua, kam pasur fat të isha pjesë e asaj periudhe të fortë të klubit londinez. Kështu që do të jetë një natë shumë e veçantë për mua, jo vetëm të jem atje, por edhe të shijoj sërish atmosferën e atij stadiumi”, tha Lampard.