Policia e Elbasanit ka bërë me dije është ndaluar drejtori i komanduar i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, së bashku me 11 punonjës të tjerë të këtij institucioni.

Ndalimi vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë, kur mbeti i vrarë Arben Lleshi ndërsa një tjetër i burgosur, Indrit Shaqja, mbeti i plagosur.

Autor i ngjarjes së rëndë, rezulton të jetë Sokol Mjacaj, një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm.

Drejtori i burgut dhe zinxhiri komandues akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të Mjaçajt, 28 vjeç.

Ndërkaq mësohet se ai ka deklaruar se armën e kishte siguruar më shumë se një muaj e gjysmë më parë.

Ai është shprehur se e ka vrarë Lleshin sepse kishte një sherr me të, pasi nuk e ka pranuar në sektor.

Por kjo alibi e tij rrëzohet nga prokuroria pasi ka dyshime për vrasje të organizuar kundrejt pagesës.

Aktualisht në polici janë shoqëruar 18 punonjës të burgut, si civilë ashtu edhe punonjës të policisë së burgjeve.

Ndërkaq, të premten ministri i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, Ulsi Manja, ka pranuar se ngjarja e rëndë në burgun e Peqinit ka shërbyer si shkak për urdhrin e tij sa i takon rritjes së nivelit të gatishmërisë në të gjithë sistemin e burgjeve.

Në dalje publike për mediat nga ambientet jashtë burgut, Manja sqaroi se kjo është një procedurë që merret çdo fund viti në prag të festive të Krishtlindjes dhe Vitit të ri, por ngjarja e ndodhur në Peqin përshpejtoi këtë procedurë.

Në fjalën e tij ai shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimës Arben Lleshi si dhe i uroi shërim të shpejtë Indrit Shaqjas.

Të dy ata u sulmuan me armë nga Sokol Mjacaj, një tjetër i burgosur me dënim të përjetshëm..

Manja deklaroi se me të gjithë dinamikën e ngjarjes po merret Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit.

Më tej ai shtoi se urdhri për transferimin e Sokol Mjacajt në regjimin e posaçëm “41 biss” u dha ditën e sotme.

I pyetur se pse nuk është vënë më herët në regjim të posaçëm Mjacaj, Manja thotë se “ka një procedurë për vendosjen e një personi në regjim të posaçëm, edhe mënyra e komunikimit ka një procedurë të caktuar që e vendos Drejtoria e Përgjithshme e Burgut”.

“Ju lutem mos më bëni pyetje që cenojnë hetimin që po zhvillon Prokuroria në bashkëpunim me ne dhe Policinë e Shtetit. Unë jam këtu sonte dhe do jem në ditët në vazhdim për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë ligjore e administrative të institucionit që drejtoj unë”.

Mjacaj e kreu vrasjen rreth një orë pasi u bë publik urdhri se ai do të transferohej në “41 biss”.