"Loyola"

Ekskluzive: Qeveria, me kërkesë të MASHT-it, mbështet me 659 mijë euro një shkollë private në Prizren (DOKUMENT)

Në Kosovë ka mungesë të shkollave të reja, por ka edhe shkolla publike në gjendje të mjerueshme. Megjithatë, kjo si duket nuk i bënë fare përshtypje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila për një institucion arsimor privat ka kërkuar të ndahen hiq më pak se 658,858.54 euro.

Këtë kërkesë të saj e ka aprovuar Qeveria e Kosovës dhe tërë këto mjete financiare janë ndarë për Gjimnazin “Loyola” në Prizren.

Në bazë të një vendimi të siguruar nga Ballkani.info, këto mjete financiare janë ndarë nga Qeveria e Kosovës më 2 tetor 2018 dhe ato shkojnë në tri drejtime.

Prej tyre, 308,858.54 euro shkojnë për rimburësimin e pagave për vitin 2018 të bashkëpunëtorëve të këtij gjimnazi, 300,000 euro të tjera shkojnë për themelimin dhe funksionalizimin e shkollës së lartë profesionale “Loyola Profesional”, ndërsa 50,000 euro të tjera për shpenzime vjetore të kësaj shkolle prej vitit 2019.

Kjo është një mbështetje tërësisht e çuditshme, kur nuk dihet ndonjë rast që Qeveria e Kosovës ka ndarë kaq shumë marramendëse të mjeteve financiare si mbështetje për shkollat apo kolegjet private në Kosovë.

Bazuar në të dhënat publike për Gjimnazin “Loyola” në Prizren, aty edhe tarifat shkollore në vitet e kaluara kanë qenë të larta, përkatësisht nga 85 euro për muaj ose 1020 euro për vit, ndërkaq tarifat për shkollë dhe konvikt kanë qenë nga 250 euro në muaj ose 3,000 euro në vit.

Tarifat e shkollimit: https://www.alg-prizren.com/albanisch/schule_internat/anmeldung.php

Informacione për Gjimnazin “Loyola”:
https://en.wikipedia.org/wiki/Loyola_Gymnasium_Prizren

Këtë gjimnaz privat, më 30 nëntor 2017 e kishte vizituar edhe vetë kryeministri Haradinaj, transmeton Ballkani.info.

Gjimnazi “Loyola” në Prizren është kritikuar shpeshherë nga fanatikë fetarë, duke u cilësuar si shkollë profesionale katolike e rendit jezuit kristian.

Nëse hulumtojmë online më shumë rreth rrjetit të kësaj shkolle dhe emrit që mban, atëherë shohim se Inigo Lopez de Loyola (1491-1556), ka qenë fëmija më i vogël i një shenjtori në malet e regjionit Bask, në veri të Spanjës, në kohën e mbretit Ferdinand dhe mbretëreshës Izabel. (Sipas: St. Ignatius Loyola, The Roots of the Society of jesus, në: http://www.jesuit.org/).

Mediat kanë raportuar shpeshherë për gjendjen e vështirë mësimore të nxënësve nëpër shkollat publike, ku shpeshherë ata edhe mërdhijnë nga të ftohtit në stinën e dimrit.

Madje, në rajonin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës ka pasur edhe raportime për mbajtje mësimi nëpër kontinjerë të improvizuar si klasa mësimi. /Ballkani.info/