Edmond Jetullahu

Ekskluzive: Ky është DOKUMENTI me nënshkrimin e Haradinajt të cilin e falsifikoi agjenti i rrejshëm i AKI-së

Policia e Kosovës e ka arrestuar të martën 26-vjeçarin nga Prishtina, Edmond Jetullahu, nën dyshimin se përpiloi një dokument të falsifikuar, me të cilin u vetë punësua në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Jetullahu dyshohet për kryerjen e veprave penale të Spiunazhit, Prezantimit të Rremë dhe Falsifikimit të Dokumenteve.

Lidhur me këto dyshime që rëndojnë mbi 26-vjeçarin nga Prishtina, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur zyrtarisht hetimet të mërkurën.

Ballkani.info e ka siguruar dokumentin e falsifikuar të Edmond Jetullahit, i cili mban nënshkrimin e tij dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Po ashtu dokumenti ka edhe vulën e Zyrës së Kryeministrit.

Në dokument thuhet se në mbështetje të nenit 92 paragrafi 4 dhe të nenit 93 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar nnë nenin 4 të rregullores numër 0220111 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë e ndryshuar dhe e plotësuar me Rregulloren numër 14/2017, me Rregulloren numër 16/2017 dhe me Rregulloren numër 07/2018, si dhe në nenin 19 të Rregullores së Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës numër 09/2011, Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim se, Edmond Jetullahut i lejohen të gjitha të drejtat psiko-fizike dhe kompentet në postin të cilin e ka zgjedhur Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe i përmbush të gjitha kushtet shkollore me akreditim të lartë me notën mesatare 10.0 të filloi punën në institucionin AKI.

Titulli i vendit të punës: Udhëheqës i planeve Strategjike për mbrojtjen e vendit.

Më herët, Ballkani.info raportoi duke i thirrur në burime se Jetullahu asnjëherë nuk kishte hyrë në ndërtesën e AKI-së.

“Asnjë lidhje nuk e ka pasur me asnjë zyrtar të AKI. Është thjesht një keqpërdorues. Po ashtu edhe një i tillë është arrestuar dje. Ai vetëm jashtë është paraqitur si agjent i rrejshëm”, kanë thënë burime të Ballkani.info.

Jetullahu, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës, dyshohet për kryerjen e veprave penale të Spiunazhit, Prezantimit të Rremë dhe Falsifikimit të Dokumenteve. Lidhur me këto dyshime që rëndojnë mbi 26-vjeçarin nga Prishtina, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur zyrtarisht hetimet të mërkurën.

Në këtë Aktvendim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Jetullahu ka kryer tri veprat penale të spiunazhit, falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të rremë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, Prokurori i Shtetit Kujtim Munishi, me pjesëmarrjen e zyrtares ligjore Diora Bajrami, në procesin kundër të dyshuarit Edmond Jetullahu për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: Prezantim i rremë nga neni 417 të KPRK-së, veprën penale Spiunazhi nga neni 131 të KPRK-së dhe veprën penale Falsifikim i dokumentit nga neni 398 të KPRK-së merr aktvendim për fillimin e hetimeve”, thuhet në aktvendim.

Në vitin 2010, Jetullahu dyshohet se kishte përpiluar dokumentin e falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal. Përmes këtij dokumenti, ai në mënyrë të rreme kishte krijuar marrëdhënie pune me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Ishte vetëpunësuar si udhëheqës i planeve strategjike për mbrojtjen e vendit.