Dosja

EKSKLUZIVE: Këta janë policët serbë që dhunuan femra shqiptare në vitin ’99 (Emrat/DOKUMENT)

Vasfije Krasniqi i bëri të gjithë me lot derisa edhe vet qante duke rrëfyer për egërsinë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ajo u bë femra e parë që doli publikisht dhe rrëfeu për dhunën seksuale që dy serbë të uniformuar kishin ushtruar ndaj saj kur ishte vetëm 16 vjeçe.

Vasfija me rrëfimin e saj nxorri në pah edhe një herë krimet e serbëve ndaj popullatës civile shqiptare, por njëkohësisht tregoi edhe për sistemin e dobët të drejtësisë në vendin tonë, sidomos në kohën e UNMIK-ut.

Ajo publikisht tregoi emrat e dhunuesve të saj, ndërsa njëri prej tyre e kishte veshur uniformën e Policisë së Kosovës për 16 vjet me radhë. Ata vazhdojnë të jenë të lirë.

Si Vasfija janë edhe rreth 20 mijë femra shqiptare të dhunuara nga forcat ushtarake dhe policore serbe, mirëpo deri më tash asnjë proces gjyqësor nuk e ka marrë epilogun në lidhje me këto krime.

Lidhur me dhunimet që forcat serbe kanë kryer në rajone të ndryshme të Kosovës, Ballkani.info ka siguruar ekskluzivisht dosjen e forcave serbe që dëshmon për dhunimet në zonën e Klinës.

Kjo dosje që përfshinë përiudhën kohore nga 01.07.1998 deri më 20.06.1999, përmban vepra penale në Kosovë të kryera nga forcat serbe dhe është nxjerrë nga organet e atëhershme serbe.

Në raporton e 28 prillit të vitit 1999 të kësaj dosje, përshkruhet në detaje dhunimi i tri femrave shqiptare në Klinë.

“Ditën e 28.04.1999 sipas njoftimit të të dëmtuarve, është kryer vepër penale – dhunim- nga neni 103 i KZ CR RS. Dy meshkuj, nga të cilët njëri ishte në uniformë të Ushtrisë së Jugosllavisë, i kanë marrë të dëmtuarat në një shtëpi në Klinë ku burri në uniformë i ka dhunuar SH.E. dhe XH.E. (emra të njohur për redaksinë), ndërsa burri tjetër e ka dhunuar H.B. (emër i njohur për redaksinë)”, thuhet në raport, raporton Ballkani.info.

Tutje aty theksohet se për këtë akt janë njoftuar orgnet ushtarake – majori i Ushtrisë Jugosllave, Radulac i ka marrë të dëmtuarat dhe pas bisedës ua ka mundësuar transportimin tutje dhe “për shkak të kësaj nuk është kryer kontrolli gjinekologjik”.

“Është bërë kallëzim penal KU numër 19/99 kundër kryersve të panjohur dhe i dorëzohet Prokurorit të Qarkut në Pejë”, thuhet në raport.

Mirëpo, Ballkani.info nga dosja që ka siguruar i ka gjetur edhe emrat e policëve dhe ushtarëve që kanë marrë pjesë në dhunim.

Sipas dosjes, policët dhe paramilitarët që kanë kryer këtë krim i takonin postës policore në Prizren.

Tre të akuzuarit për rastin e dhunimit në Klinë janë Vukajlo Vuliq i lindur më 30.09.1955 nga fshati Bec i Gjakovës, Nebojsha Laliq i lindur më 21.02.1965 në Shtupel të Klinës dhe Zoran Radoviq i lindur më 25.09.1968 nga fshati Zabërgj i Klinës.

Që të tre këta ishin të martuar.

Të parit, Vuliqit, në Kallëzimin Penal i shkruante i punësuar si zyrtar në “SUP”-in (stacion policor) e Prizrenit. Ndërkaq, dy të tjerët ishin në pozita të përshkruara si policë që po ashtu i takonin “SUP”-it të Prizrenit.

Të kujtojmë se në kohën e këtyre krimeve në Kosovë, shef i policisë serbe (1998-1999) ishte Sreten Llukiq, i cili ka shërbyer më vonë edhe si Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë. /Ballkani.info/