Një përgjigje skandaloze e Administratës Tatimore të Kosovës, nga Ruzhdi Zenelaj, përmes Sakip Imerit, buxhetin e shtetit dyshohet se e kishte dëmtuar me miliona euro.
Kjo përgjigje e shpejtë, vetëm katër ditë pas parashtrimit të pyetjes nga kompania NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. Drenas, kur afati sipas akteve nënligjore është brenda 60 ditësh, ka nxitur shumë dyshime te hetuesia dhe prokuroria, raporton Ballkani.info.
Pas ndërrimit të pronësisë (aksionarit) në vitin 2010, kompania NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. kishte bërë edhe pagesën në paradhënie (këste të tremujorit) mbi 300 mijë euro.
Përfaqësuesi i kësaj kompanie, përkundër një pagese të bërë që jep të nënkuptohet se ka qenë i vetëdijshëm që nuk mund t’i shmangej obligimeve tatimore për shkak të ndërrimit aksionarit, në muajin dhjetor të vitit 2010 i kishte adresuar pyetje me shkrim Administratës Tatimore të Kosovës, duke i pyetur sesi duhej t’i trajtonte humbjet tatimore pas ndryshimeve në kompaninë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.

Por, shumë e shpejtë kishte qenë përgjigjja e zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ruzhdi Zenelaj, i cili ishte vartës i Sakip Imerit, ku pas vetëm katër ditësh i kishte kthyer një përgjigje zyrtare tejet skandaloze dhe të dyshimtë, duke ia miratuar pretendimet e kompanisë se gjoja ajo ka bërë vetëm riorganizim të biznesit dhe jo ndërrim të aksionarit.
Sipas përgjigjes së Zenelajt, të cilën e posedon Ballkani.info, për të cilën ishte në dijeni asokohe edhe zëvendësdrejtori Sakip Imeri, që më vonë kishte marrë postin e drejtorit të ATK-së, ky institucion përkundër që krejt faktet e dëshmonin të kundërtën, duke iu referuar disa sqarimeve nga “takimet që kanë pasur”, ndërrimin 100 për qind të aksionarit në kompaninë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. e kishin konsideruar si biznes të njëjtë.

Si pasojë e kësaj përgjigjeje të dyshimtë, më të cilën siç mëson Ballkani.info janë duke u marrë tani edhe hetuesia e prokuroria, tatimpaguesit çuditërisht i ishte kthyer edhe pagesa e këstit prej mbi 300 mijë euro.
Po ashtu, bazuar në këtë përgjigje të ATK-së, kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. i ishte lejuar kundërligjshëm edhe bartja e humbjes tatimore prej rreth 40 milionë euro, që shprehur në obligim tatimor sillet në rreth 4 milionë euro ndaj buxhetit të shtetit.
Ligji 03/L-162 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, përkatësisht neni 23, paragrafi 5, të cilit i ishte referuar edhe ATK-ja në përgjigjen e saj, sqaron shumë qartë se kur lejohet bartja e humbjes tatimore.
“Nëse biznesi ndryshon llojin e organizatës biznesore apo ka ndryshim të pronësisë për më shumë se 50%, bartja nuk do të jetë më e zbatueshme”, thuhet ndër të tjera në këtë ligj.
Ligji nr. 03/L-162 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2659
Edhe në vetë aplikacionin e kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. për ndryshim të pronësisë, i bërë në vitin 2010 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, figuron se pronësia (aksionari) ka ndërruar 100 për qind.

Ballkani.info ka siguruar edhe një informacion zyrtar të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, të dhënë pas kërkesës së organeve të hetuesisë, ku ky institucion rikonfirmon se NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. kishte aplikuar për ndërrim të pronarit më 1 prill 2010 dhe nga kjo datë pronari i vetëm i kompanisë është Cunico Resources N.V.


Ndërrimin 100 për qind të aksionarit në kompaninë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C., zyrtari i ATK-së, Ruzhdi Zenelaj, me dijeni të plotë të shefit të tij, Sakip Imeri, e kishte trajtuar kundërligjshëm vetëm si proces të riorganizimit apo shkrirjes së bizneseve nga Ferronikeli BV, në Resources Holdings NV, pastaj në Cunico Resources Cooperatief UA dhe në fund Cunico Resources NV.
Për këto veprime që buxhetin e shtetit dyshohet se e kanë dëmtuar me miliona euro, Ballkani.info mëson se prokuroria tashmë ka intervistuar edhe zyrtarin e ATK-së, Ruzhdi Zenelaj, si dhe ish-drejtorin e deritashëm, Sakip Imeri. /Ballkani.info/







