EKSKLUZIVE – “Gjakderdhja financiare” në UP nga sekretari Esat Kelmendi (DOKUMENT)


Në vitin 2016 Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte marrë vendim për ndryshimin e kompensimit të Këshillit Drejtues të programit për Avancimin e Kualifikimit të Mësimdhënësve (AKM) dhe stafit mbështetës të këtij programi.

Pagesa për kryetarin e Këshillit Drejtues, sipas këtij vendimi të nënshkruar nga ish rektorit Marjan Dema, do të ishte 590 euro në muaj, ndërsa për anëtarët nga 490 euro në muaj.

Marjan Dema ishte edhe kryetar i këtij Këshilli Drejtues edhe rektor njëkohësisht!

Pjesa administrative e cila udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, do t’i përfshinte 8 anëtarë, të cilët do të paguheshin nga 80 deri në 300 euro në muaj.

Ndërkaq vet Kelmendi si anëtar i Këshillit Drejtues është paguar 490 euro në muaj nga viti 2016. Kelmendi njihet si person super i paguar në UP, pasi që i njëjti brenda një muaji i kishte pranuar pagë 4 mijë e 174 euro, nga to 2245 euro honorare. Kjo kishte ndodhur në shtator të vitit të kaluar.

Kështu thuhet në vendimin e prillit të vitit 2016 të siguruar nga Ballkani.info.

Mirëpo, sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, ky kompensim del të jetë në kundërshtim me ligjin. Në Raportin e Auditorit të vitit 2018, faqe 14, thuhet se ZAP (Zyra e Auditorit të Përgjithshëm) ka gjetur se kompensimet për AKM-në ishin në kundërshtim me ligjin dhe si të tilla nuk duhet të përseritën.

“Ne kemi vërejtur se KD i AKM-së dhe stafit administrativ ishte kompensuar çdo muaj, përderisa nuk na janë ofruar dëshmi për të konfirmuar se të njëjtit kishin kryer punë shtesë jashtë orarit të rregullt të punës. Shkaku i këtyre vendimeve ishte se menaxhmenti i UP-së ka konsideruar se angazhimet e tilla janë punë shtesë dhe për këtë duhet edhe të kompensohen. Kompensimet e KD të AKM-së dhe të stafit administrativ, në mungesë të dëshmive për të konfirmuar se janë kryer punë shtesë jashtë orarit të rregullt të punës, rrit rrezikun e pagesave të parregullta”, thuhet në raportin e Auditorit të vitit 2018.

Në rekomandimin e Auditorit për UP-në thuhet: “Rektori duhet të shtoj kontrollet për të siguruar se të gjitha pagesat e bëra për kompensime të jenë të dokumentuara me dëshmi, për të konfirmuar kryerjen e punës jashtë orarit të rregullt të punës. Në të kundërtën, në raste kur nuk ka dëshmi se të punësuarit kanë kryer punë jashtë orarit të rregullt të punës, kompensimet mos të bëhen dhe të ndërpriten menjëherë”.

Ky avaz kishte vazhduar njëjtë, pra edhe pas rekomandimit të Zyrës së Auditorit, UP-ja kishte vazhduar kundërligjshëm kompensimin për AKM.

Në raportin e vitit 2019, (faqe 13-14) ZAP ka gjetur se kompensimet për AKM-në jo që nuk janë marrë masa që të ndërpriten, por kanë vazhduar në të njëjtin avaz. Përveç kësaj, ZAP kishte kërkuar që këto mjete të kthehen.

  • Kompensime në kundërshtim me rregulloren
    “Gjetja Sipas rregullores nr. 917 për Kompensimin e punës së komisioneve të cilat themelohen në nivel të Universitetit, neni 3, paragrafet 3.3 dhe 3.4, kompensimi për punë shtesë dhe punë jashtë orarit nuk u takon rektorit, prorektorëve, anëtarëve të Këshillit Drejtues, sekretarit të përgjithshëm të UP-së, dekanëve, prodekanëve, sekretarëve të njësive akademike dhe drejtorëve të Administratës Qendrore. Të njëjtëve u takon kompensimi vetëm kur angazhohen në komisione për punë të veçanta profesionale. Ne vërejtëm se në pesë raste (Prorektorja për buxhet e financa, prorektorja për recesentë, sekretari dhe 2 anëtar të këshillit drejtues), janë kompensuar si anëtarë të komisionit për punë shtesë të cilat sipas zyrës për çështje akademike të UP-së, nuk konsiderohen si komisione profesionale. Vlera e këtyre kompensimeve ishte 1,312€. Kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti nuk kishte marrë parasysh kufizimet e përcaktuara me rregulloren përkatëse. Ndikimi Kompensimet për pjesëmarrje në komisione të personelit të cilat janë në kundërshtim me rregulloren shkaktojnë pagesa të parregullta”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2019.
  • Auditori në këtë raport rekomandon: “Rektori duhet të sigurojë që nuk do të ketë kompensime për pjesëmarrje në komisione personeli që sipas rregullores nuk u takon kompensimi. Aty ku janë identifikuar gabimet në këto lloj kompensimesh, të ndërmerren masat për kthimin e mjeteve”.

  • Edhe në raportin e ZAP-it të vitit 2020 ndodh e njëjta gjë, pra kompensimi në kundërshtim me ligjin për AKM-në dhe po ashtu kërkohet kthimi i mjeteve. Pra, kjo tregon se UP-ja nuk i ka marrë fare parasysh rekomandimet e Auditorit dhe ka vazhduar kundërligjshëm t’i kompensoi anëtarët e AKM-së.
  • Çështja B1 – Kompensime në kundërshtim me rregulloren e brendshme
    “Sipas rregullores Nr.917 për Kompensimin e Punës së Komisioneve të cilat themelohen në nivel të Universitetit të Prishtinës, neni 3, paragrafet 3.3 dhe 3.4, kompensimi për punë shtesë dhe punë jashtë orarit nuk u takon rektorit, prorektorëve, anëtarëve të Këshillit Drejtues, Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, dekanëve, prodekanëve, Sekretarëve të njësive akademike dhe drejtorëve të Administratës Qendrore. Të njëjtëve u takon kompensimi vetëm kur angazhohen në komisione për punë të veçanta profesionale. Nga testimet tona të pagave dhe mëditjeve, ne kemi vërejtur se në 13 raste, janë kompensuar anëtarë të komisioneve për punë shtesë, të cilat nuk konsiderohen si komisione profesionale, apo komisione të rregullta. Vlera e këtyre kompensimeve ishte 1,892€. Kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti nuk kishte marrë parasysh kufizimet e përcaktuara me rregulloren përkatëse, duke i konsideruar këto komisione si ndihmëse dhe profesionale.
  • Ndikimi: Kompensimet për pjesëmarrje në komisione të personelit të cilat janë në kundërshtim me rregulloren shkaktojnë pagesa të parregullta dhe dëmtim të buxhetit”, thekson Auditori.
    Rekomandimi B1 i Auditorit: “Rektori duhet të sigurojë që nuk do të paguhen kompensime për pjesëmarrje në komisione, për personelin që sipas rregullores nuk u takon kompensimi dhe të rishikohet mundësia e kthimit të mjeteve”.
  • Çështja B2 e Auditorit – Kompensimi i Këshillit Drejtues dhe stafit administrativ te projekti ‘’Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve’’ (AKM), jo në pajtim me kërkesat ligjore
    Përveç kësaj, edhe Vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së nr. 2/901 i datës 13.10.2016, pika 10 përcakton se: Rektori, prorektori, dekanët përveç mbajtjes së orëve mbi normë, nuk mund të kenë angazhim tjetër brenda dhe jashtë UP-së, gjatë orarit të rregullt të punës. Më tutje, Ligji nr. 03/L- 147 për pagat e nëpunësve civilë, neni 20 kompensimi i pagës, përcakton rastet kur nëpunësit civilë kanë të drejtë të marrin kompensim të pagës. Vlen të theksohet se vendimi 2/901 është shfuqizuar me vendimin nr. 3/881 të datës 11.12.2020, i cili vendim në pikën 25 përcakton kufizime të ngjashme.
    UP në bashkëpunim me MASHTI (në bazë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar me datën 21.11.2016) kishte vazhduar realizimin e programit “Avancimi dhe Kualifikimi i Mësimdhënësve” (AKM) dhe kishte organizuar Programin për Avancimin e Pedagogëve (PAP). Në këtë memorandum është caktuar Këshilli Drejtues i AKM-së që përbëhej nga shtatë (7) anëtarë të UP-së dhe tre (3) anëtarë të MAShTI-t si dhe një grup i stafit administrativ [1] për të implementuar këtë projekt. Poashtu, Rektori i UP-së është caktuar edhe Kryetar i Këshillit Drejtues (KD) të AKM-së.
  • Qëllimi i këtij programi ishte të sigurohet avancimi i pedagogëve të cilët janë në marrëdhënie pune nëpër shkollat e Kosovës. Me vendimin Nr. 690 të datës 18.04.2016, Kryetari i Këshillit Drejtues të AKM-së kishte caktuar norma mujore për kompensime për anëtarët e Këshillit Drejtues të AKM-së si dhe stafin tjetër administrativ (tetë zyrtarë). Në janar të vitit 2020, KD i AKM-së kishte marrë vendim për përgjysmimin e shtesave, ku vlera e kompensimit për Kryesuesin e KD-së ishte 295€ në muaj, për anëtarët 245€ si dhe për stafin administrativ, 40€-150€. Ne kemi vërejtur se KD i AKM-së dhe stafi administrativ ishte kompensuar çdo muaj, përderisa nuk na janë ofruar dëshmi për të konfirmuar se të njëjtit kishin kryer punë shtesë jashtë orarit të rregullt të punës. Duke qenë se angazhimi i menaxhmentit dhe stafit të administratës së UP-së në AKM përbën shërbime të cilat përkojnë me përshkrimin e vendit të punës, përkatësisht janë pjesë e detyrave të funksionit që ushtrojnë, ky lloj kompensimi është i pa bazuar.
    Shkaku i këtyre vendimeve ishte se menaxhmenti i UP-së ka konsideruar se angazhimet e tilla janë punë shtesë dhe për këtë duhet edhe të kompensohen. Kompensimet e tilla nga UP konsiderohen si kompensime të rregullta të një organi mbikëqyrës i cili është përgjegjës për implementimin e programit të AKP-së në kuadër të AKM-së, i cili financohet nga MASHTI.
  • Ndikimi: Kompensimet shtesë të menaxhmentit të UP-së dhe stafit administrativ, duke u thirrur në menaxhimin e programit të AKM-së dhe në mungesë të plotë të dëshmive për të konfirmuar se janë kryer vërtetë punë shtesë jashtë orarit të rregullt të punës, përveç që është në kundërshtim me vendimin e KD-së, ndikon në shpenzimin jo të ligjshëm e buxhetit.
  • Rekomandimi B2: Rektori duhet të sigurojë se të gjitha pagesat e bëra për kompensime të jenë të dokumentuara me dëshmi, për të konfirmuar kryerjen e punës jashtë orarit të rregullt të punës. Në të kundërtën, në rastet kur nuk ka dëshmi se të punësuarit kanë kryer punë jashtë orarit të rregullt të punës, kompensimet të ndërpriten menjëherë dhe të merren masat për kthimin e mjeteve të paguara në mungesë të dëshmive relevante, thekson Auditori. /Ballkani.info/