Personeli mjekësor i KFOR-it i ka ofruar ndihmë dje një personi të lënduar në një aksident rrugor në magjistralen Pejë-Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur vetë KFOR-i me anë të një njoftimi, duke thënë se ekipi mjekësor i forcave paqeruajtëse iu ndihmoi ekipit mjekësor të QMF-së për zhvendosjen e pacientit në qendrën shëndetësore.
“Ekipi mjekësor i KFOR-it ishte duke u kthyer në shtabin e KFOR-it kur në rrugën e tyre vërejtën një veturë të përmbysur pasi u përplas me një autobus. Ata kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit të bllokuar në automjet, duke u mundësuar autoriteteve shëndetësore vendase transportimin e pacientit në spital”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
“Në të njëjtën kohë, ushtarët e KFOR-it bënë të pamundurën për t’ua sinjalizuar aksidentin veturave që kalonin, duke koordinuar rrjedhën e trafikut së bashku me personelin e Policisë së Kosovës”, vijon njoftimi.
Një aksident trafiku mes një autobusi dhe një veture ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në magjistralen Prishtinë-Pejë, konkretisht në fshatin Gllaviçicë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policies për rajonin e Pejës, Fadil Gashi i cili ka thënë se si pasojë e aksidentit lëndime serioze ka pësuar një person i cili është dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 12:55 policia është njoftuar për një aksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, konkretisht në fshatin Gllaviqicë. Aksidenti ka ndodhur mes një autobusi dhe një veture. Një person është lënduar dhe ka pësuar lëndime serioze, është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal”, njoftoi Gashi.







