Ekipi jokushtetues negociator shpenzoi rreth 43 mijë euro

Ekipi negociator, në krye me Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin, që u shpall kundërkushtetues nga Gjykata Kushtetuese, ka shpenzuar rreth 43 mijë euro që nga ekzistimi i tij.

Këto para të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për bileta aeroplani, paga, akomodim, ushqim dhe punëtori, raporton KTV.

Zëvendëskoordinatori Administrativ i Ekipit negociator, Ilir Cacaj, ka thënë se

shpenzimet përfshijnë edhe të punësuarit në Zyrën Administrative.

Shpenzimet për paga kanë kaluar shumën e 17 mijë eurove.

“Nga shuma e përgjithshme, shpenzimet janë të ndara si vijon:

Shpenzime udhëtimi (bileta aeroplani) për disa udhëtime në Bruksel – 22,251 euro. Shpenzime akomodimi dhe ushqimi (punëtori në Tiranë) për të gjithë anëtarët e Delegacionit dhe stafin përcjellës – 3.452 euro. Për paga janë shpenzuar 17.060 euro”.

Ekipi i dialogut ishte votuar në Kuvend në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte ndarë për të, 300 mijë euro.

Për këto shpenzime, deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se ky ekip duhet të marrë përgjegjësi.

KTV-ja ka raportuar në prill të këtij viti, se si në Zyrën e Koordinatorit Administrativ, ishin propozuar për t’u punësuar militantë dhe bashkëpartiakë të Nismës dhe PSD-së.