Ehat Miftaraj: Edhe liderët tjerë ta ndjekin shembullin e Kadri Veselit

Sot, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherish edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka deklaruar se ka kërkuar nga të gjithë zyrtarët që janë në procese gjyqësore, lirimin nga detyra.

Kjo deklaratë e Veselit ka ardhur në një konferencë për media, ku ka folur rreth synimit të tij për të pastruar së pari partinë e tij nga personat që janë nën hetime për raste të ndryshme.

Menjëherë pas kësaj deklarate, është bërë i ditur lirimi nga detyra i zëvendësministrit të Mbrojtjes, Agim Çekut, pastaj ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe Nijazi Kryeziu, i cili ka qenë këshilltar i kryeparlamentarit Veseli.

Të gjithë personat e liruar nga detyra deri më tani, janë në procese gjyqësore për raste të ndryshme, ndërsa shkarkimi i tyre ka bërë bujë në media, duke u kërkuar që shembulli i njejtë të ndiqet edhe nga partitë e tjera politike.

Zyrtarët e tjerë që janë ende në procese gjyqësore, por që vazhdojnë të ushtrojnë pozitat e ministrave dhe zëvendësministrave nëpër ministri janë këta:

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë më 10 prill 2018, duke e ngarkuar me dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të përvetësimit në detyrë. Pjesën e aktakuzës për ‘përvetësim në detyrë’, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishe hudhur poshtë më 24 korrik 2018, shkruan Ballkani.info.

Ministri tjetër ndaj të cilit po zhvillohet proces gjyqësor është i Ministrisë së Mbrojtjes, Rrustem Berisha. Berisha është në listën e një prej 12 të akuzuarve për mashtrimet në listat e veteranëve të UÇK-së. Ai si pjesë e komisionit qeveritar që bënte njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, pritet të gjykohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës për fryrjen e listave të veteranëve.

Pas Berishës, zyrtari tjetër që është në proces gjyqësor është zëvendësministri i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj. Ndaj Nerjovajt, Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur aktakuzë për korrupsion gjatë kohës kur i njëjti ka qenë në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektoratit në Prizren. Ai dyshohet se nuk ka ndërmarrë masa për t’i siguruar kushtet adekuate për ekzekutimin e konkluzionit të inspektorëve, ku sipas tyre Nerjovajt është dashur të bëjë rrënimin e detyrueshëm të disa objekteve që janë vlerësuar si mbindërtime.
Ballkani.info ka kontaktuar edhe me drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi-IKD, Ehat Miftarajn i cili ka thënë se shembulli i shkarkimit nga detyra të zyrtarëve të cilët janë nën hetime ose në procese gjyqësore, duhet të ndiqet edhe nga krerët e tjerë të qeverisë.

“IKD-ja ka bërë kërkesë edhe më herët ndaj qeverisë aktuale që personat të cilët janë nën hetime apo ndaj të cilëve po zhvillohet proces gjyqësor, të lirohen nga detyra. Partitë të cilat janë në pushtet duhet të ndjekin shembullin e Veselit, në mënyrë që kjo qeveri të pastrohet nga personat që kanë probleme me ligjin”, ka thënë Miftaraj.

Kujtojmë se Kosova është kritikuar vazhdimisht për mosluftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, përkatësisht ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në vepra penale.

Së fundmi, edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka deklaruar se Kosova duhet të angazhohet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. /Ballkani.info/