Egzon Kelmendi, djali i Ramiz Kelmendit, pronarit të kompanisë nder më të fuqishmet në Kosovë – Elkos, sot është zyrtarizuar si kandidat i AAK-së për deputet.
“Unë Egzon Kelmendi, sot me 2 nëntor 2024 kam marr vendim të anëtarësohem në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), një parti që përfaqëson vlerat dhe vizionin të cilave u besoj. Me këtë anëtarësim, kam vendosur të kandidoj si deputet, i përkushtuar për të sjellë ndryshime që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës”, ka shkruar Kelmendi, raporton Ballkani.info.
Ai ka shprehur falënderimin të thellë për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj për besimin dhe mbështetjen që ka treguar në këtë rrugëtim.
“Një falënderim i veçantë shkon edhe për degën e AAK-së në Pejë, që ka qenë një mbështetje kyçe dhe motivim për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm. Si kandidat për deputet, synimi im është të përfaqësoj me dinjitet zërin e qytetarëve tanë dhe të punoj për zgjidhje të prekshme dhe të qëndrueshme. Prioritetet e mia përfshijnë zhvillimin ekonomik, përfaqësimin e prodhuesve vendor, gjithashtu duke ju siguruar që gjatë mandatit tim fokus do ta kem edhe mbështetjen e rinisë, pasi e ardhmja e Kosovës qëndron tek ata. Me besim dhe përkushtim, kërkoj mbështetjen tuaj për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për Kosovën”, ka shkruar Egzon Kelmendi. /Ballkani.info/







