Efekti “Kashmir”

Fuqia ushtarake e Pakistanit është krenaria e muslimanëve të botës. Pakistani përveçse që është fuqia më e madhe ushtarake konvencionale ndër vendet muslimane, është edhe i vetmi vend musliman që zotëron armë bërthamore. Pakistani ka sistemet më të përparuara të raketave ndër vendet muslimane.

Deri më tani, anulimi nga ana e Indisë e statusit të autonomisë të krahinës me shumicë muslimane të Kashmirit, shihej si vija e kuqe që ky vend nuk guxonte ta kapërcente, pasiqë kjo do të thoshte luftë e sigurt dhe të zgjatur me Pakistanin. Çështja e Kashmirit ka qenë shkak përplasjeje mes dy vendeve që kur ato u shkëputën nga Perandoria Britanike në 1947. Megjithëse të dy vendet kanë pasur tre luftëra ndërmjet tyre që nga vitet gjashtëdhjetë, India asnjëherë nuk shkoi aq larg sa ta ndryshonte statusin e Kashmirit. Sepse mendohej që anulimi i autonomisë së Kashmirit do të shkaktonte një tjetër lloj lufte, të ndryshme nga këto të deriatëhershmet. Në luftrat e deriatëhershme mes këtyre dy vendeve, duke përfshirë dhe atë të vitit 1999, gjithsej janë vrarë 8 mijë indianë dhe 20 mijë pakistanas. Në një luftë që vjen si pasojë e anulimit të autonomisë së Kashmirit pritej shumëfishi i këtyre humbjeve njerëzore. Në një luftë të tillë pritej të ndodhë edhe përdorimi i armëve bërthamore.

India në 5 gusht të këtij viti ka anuluar autonominë e Kashmirit. Pakistani ka reaguar duke bërë kërcënime se do të kundërpërgjigjet me luftë, por nuk ka ndërmarrë veprime ushtarake. Duket se në Islamabad (kryeqyteti i Pakistanit) nuk kanë besuar se India do ta bënte vërtet këtë gjë, ndonëse anulimi i autonomisë së Kashmirit është paralajmëruar nga partia nacionaliste hindu që është në pushtet në Indi, e cila e kishte vënë këtë çështje në programin e saj në zgjedhjet e prill-majit të këtij viti. Por, qartësisht Islamabadi i ka marrë këto si premtime zgjedhore, që harrohen pas zgjedhjeve. Ose ndoshta kështu i ka pëlqyer të besojë se do të ndodhë.

Por nacionalistët indianë në pushtet e kishin seriozisht sepse e shikonin autonominë e Kashmirit si tregues të dobësisë së saj historike dhe për rrjedhim, anulimin e kësaj autonomie e shikonin si provë të shndërrimit të vendit në një fuqi të madhe globale, çka ky vend synon të jetë.
Pakistani, i cili ka pasur për një kohë të gjatë qeverisjen nga ushtarakët, ka sot një qeverisje civile, me president një dentist dhe kryeministër një lojtar kriketi. Nuk mund të përfytyroheshin dy njerëz më të papërshtatshëm për ta udhëhequr vendin në një rrethanë të tillë. Anulimi i autonomisë së Kashmirit me siguri që do të sjellë fundin e qeverisjes civile në Pakistan dhe ardhjen e ushtarakëve në pushtet, pa pasur nevojë as për grusht shteti.

Ushtarakët me të marrë udhëheqjen e vendit do ta futin atë në luftë me Indinë. Statusi i privilegjuar i Ushtrisë në Pakistan, shpenzimet e mëdha që ka bërë ky vend i varfër për mbajtjen e Ushtrisë, jetesën e korpusit të oficerëve në një shkallë dukshëm më të lartë mirëqenieje se pjesa tjetër e popullsisë, justifikoheshin vetëm me përballimin e rrezikut nga India me të cilën ky vend është në armiqësi historike për shkak të Kashmirit. Nëse nuk lëvizet për Kashmirin, atëherë natyrshëm do të vijë pyetja se përse duhet kjo Ushtri kaq e madhe dhe e kushtueshme, sidomos për një vend të varfër. Përveç Indisë, Pakistani kufizohet me Afganistanin dhe Iranin. Asnjë prej tyre nuk përbën rrezik aq sa të justifikohet kostoja e mbajtjes së një fuqie kaq të madhe ushtarake.
Në Pakistan ka dy pole fuqie. Ushtria dhe mullahët, klerikët islamikë. Të dy e duan luftën me Indinë ndryshe humb kuptimin arsyeja e qënies së tyre. Në rast të një lufte të zgjatur me Indinë, me siguri që do të ketë një aleancë mes Ushtrisë dhe Mullahëve. Nëse Pakistani nuk hyn në luftë ndaj Indisë këtë herë, miti i tij do të zhbëhet në sytë e muslimanëve të botës. Bota muslimane do ta ndjejë thellë poshtërimin, ashtu si në rastin e humbjeve ushtarake të shteteve arabe ndaj Izraelit.

Çfarë arsye pati India, në anën tjetër, për të bërë lëvizjen që e shpie këtë vend të madh drejt rrezikut shumë të afërt të luftës së zgjatur me njw fqinj bërthamor për një territor shumë të vogël në krahasim me përmasat e tij, të cilin edhe ashtu India e kishte nën kontroll? Në Delhi dijnë ta bëjnë mirë analizën risk-përfitim. Duket se indianët kanë marrë garanci nga SHBA dhe Izraeli se do të furnizohen me sisteme kundër raketave të tillë që do t’ i bëjnë të pavlefshme goditjet me armë bërthamore pakistanase nëse ndodhin ato. India është një aleat strategjik i SHBA në Azinë Jugore, ndërsa Pakistanin SHBA e shohin tashmë prej kohësh si një vend të pabesueshëm, i cili jo vetëm nuk ka qenë partner serioz në luftën kundër terrorizmit islamik, por madje fshehtas ka mbështetur terroristët.

Dhe nacionalistët indianë që janë në pushtet në Delhi, e kanë marrë parasysh rrezikun e luftës jo për Kashmirin e vogël, që për ta nuk është gjithçka, madje është shumë pak nga ajo që kërkojnë ata prej Pakistanit. Në territorin e Pakistanit gjenden vendet e shenjta historike indiane, të pushtuara nga agresorët islamikë në shekuj. Lumi i shenjtë i fesë hindu, Lumi Indus gjendet sot në Pakistan. Të gjitha këto nacionalistët hindu i përjetojnë si një poshtërim historik. Në pikëpamjen e tyre, India e fuqishme, e rilindur, duhet t’ i rikthejë vetes ato që ia kanë marrë me dhunë.
Nëse ndodh lufta, raporti fillestar i forcave është në favor të Indisë, ai do të ndryshojë me nisjen e luftës sepse një luftë e re dhe e zgjatur pakistano-indiane do të shndërrohet në fakt një luftë të botës islame kundër Indisë. E gjithë bota islame do të solidarizohet me Pakistanin dhe do të shpallet një Xhihad, luftë e shenjtë islamike kundër Indisë. Nga gjithë bota islame do të shkojnë vullnetarë në Pakistan, ndonëse ky vend nuk ka nevojë për njerëz. Vendet arabe të Lindjes së Mesme do ta furnizojnë Pakistanin me një pjesë të armatimeve të tyre moderne. Gjithashtu, vendet arabe të pasura do të sponsorojnë Pakistanin me shumë miliardë dollarë për blerjen e armatimeve. Turqia e Erdoganit do të shkojë me entusiazëm në ndihmë të Pakistanit, me armë dhe vullnetarë.
Në anën tjetër, në ndihmë të Indisë do të shkojnë vullnetarë nga Perëndimi, militantë të krishterë dhe arianë, pasiqë India është toka e arianëve të lashtë. Ironikisht, supremacistët e bardhë do të gjejnë në këtë luftë, nëse ndodh një kauzë të vetën, pasi në pikënisje të teorisë së supremacisë së bardhë janë mitet ariane.

Pakistani do të ketë mbështetjen e Kinës, ndërsa India do të ketë mbështetjen e SHBA, Izraelit, Bashkimit Europian. Nuk përjashtohet mundësia që India të ndihmohet masivisht me armatime modern nga Perëndimi, që në këmbim të veprojë për t’ u zgjidhur përfundimisht problemi që ka Perëndimi në Afganistan dhe në Indian. Rolleri gjigand militarist indian mund të shtypë Pakistanin, Afganistanin dhe Iranin. Nuk përjashtohet që India të ndërmarrë goditje ndëshkuese ndaj Arabisë Saudite, kuptohet me lejen e SHBA, pa prekur zonat e industrisë së naftës.
Lufta, nëse ndodh do të jetë e gjatë, por gjithsesi, India, në fund, me shumë gjasë do të jetë fituesja e kësaj lufte dhe nuk dihet se ku do të ndalet Ushtria e saj në përparimin në tokën pakistanase. India pasi të ketë paguar një çmim të lartë në këtë luftë nuk do të kënaqet me përfitime të vogla.
Nëse lufta ndodh, ajo do të globalizohet edhe për shkak se terrorizmi islamik do të godasë interesat indiane gjithandej botës. Nëse ndodh kjo luftë e re pakistano-indiane do të shkaktojë shumë milionë të vdekur. Mund të jetë edhe lufta më e përgjakshme në historinë e njerëzimit, më e përgjakshme se ajo gjermano-sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

Nëse ndodh lufta, efekti “Kashmir” do të ndihet gjithandej botës veçanërisht në ato pika të globit ku ka konflikte në të cilët janë të përfshirë vende apo edhe popullsi islamike. Do të krijohet një mjedis i ri ndërkombëtar, një frymë e re që do të nxisë zgjidhjen radikale të këtyre konflikteve.

loading…