Edukatoret në grevë, Kadri Rahimaj detyron praktikantet që të kujdesen për fëmijët në çerdhen e Kamenicës

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, po pretendon se fëmijët në çerdhen “Filizat” në këtë qytet kanë qenë në duar të disa praktikanteve, meqë edukatoret dhe stafi tjetër i çerdhes janë në grevë.

Ai ka thënë se kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, është përfshirë në këtë skandal duke dashur që ta shtyp grevën në arsim.

“Kryetari u përfshi në skandalin e rradhës, sigurisht i dirigjuar nga pushteti qendror, për të goditur grevën e mësimdhënësve. Ai publikoi fotografi të disa fëmijëve që kinse kanë nisur mësimin në çerdhen “Filizat” në qytetin e Kamenicës. Por, çka nuk ka përmendur aty, është fakti që edukatoret dhe i gjithë stafi i çerdhes janë në grevë, prandaj edhe mësimi nuk do duhej të vijonte. Ata fëmijë kanë qëndruar gjatë tërë ditës nën mbikqyrjen e praktikantëve që janë së voni duke mbajtur praktikë në këtë institucion. Këta praktikantë u detyruan madje edhe të përgatisin ushqimin. Pra, fëmijët kanë qenë në dorën e dikujt që nuk është adekuat për t’u kujdesur për ta. Sigurisht, nën urdhërat e Kurtit e Kadrisë.”, ka shkruar Kastrati.

Kastrati ka vlerësuar se një praktikë e tillë është e gabuar, e papranueshme dhe e rrezikshme.

“Po të kishin këta njëmend ndjeshmëri për fëmijët atëherë nuk do t’i mashtronin e t’i linin pa mësim për interesa partiake edhe në të kaluarën. Ndjeshmëria e tyre fallco është e lidhur ngushtë me luftën e Kurtit ndaj sindikatave në grevë. Këta nuk e kanë problem të përdorin fëmijë vetëm që të arrijnë qëllimet e tyre politike, qoftë ajo edhe një goditje e ulët ndaj sindikatave. Këta kanë humbur çdo kompas moral vetëm që të shtrojnë pushtetin e tyre në çdo cep të shoqërisë. Kjo praktikë, pos që është e gabuar, është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e papranueshme. Fëmijët meritojnë kujdes adekuat, njëjtë siç meritojnë mësimdhënësit paga më të mira për një jetë më të dinjitetshme.”, është shprehur ai.