Ylli kosovar

Edon Zhegrova kërkohet me ngulm në Gjermani

Forma fantastike e Edon Zhegrovës këtë edicion, ka bërë që shumë skuadra të shprehin interesim për transferimin e tij.

Së fundmi, në garë për Zhegrovën janë inkuadruar edhe klubet nga Gjermania pas atyre nga Anglia, Spanja dhe Italia. Madje, “Sky Sport Germany” shkruan të hënën se shumë ekipe elitare të Gjermanisë kanë shprehur interesim për Zhegrovën, të cilin po duan ta transferojnë gjatë këtij muaji.

Madje, disa prej tyre, emrat e të cilëve nuk janë publikuar, tashmë kanë pasur takime me Zhegrovën dhe përfaqësuesit e tij.

Thuhet se Zhegrova është i hapur të largohet nga Lille këtë edicion, ndonëse ekipi francez për kartonin e tij po kërkon të paktën 20 milionë euro. 24-vjeçari ka 6 gola e 7 asistime në 25 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat, ndërsa me Lillen ka kontratë deri në vitin 2026. Ai është pjesë e Lillet prej janarit të vitit 2022 kur iu bashkua nga skuadra e Baselit.