Edita Shkreli

Edita Shkreli – gjyqtarja e parë shqiptare në New York, në Gjykatën Civile në Bronx

Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo herë e më shumë po dëshmojnë se vetëm me punë dhe angazhim mund të jenë pjesë e institucioneve më të rëndësishme në këtë shtet. Këtë e ka dëshmuar së fundmi edhe Edita Shkreli, e cila është zgjedhur gjyqtare e parë shqiptare në New York, Gjykata Civile në Bronx.

Para se ëndrra e saj e madhe të bëhet realitet, Edita Shkreli ka punuar si avokate me shumë eksperiencë, në New York, ku klientët e saj të preferuar kanë qenë shqiptarët.

Në vitin 2011, Edita Shkreli, ka përfunduar studimet e avokaturës tek New York Law School, duke u diplomuar si “Juris Doctor, Cum Laude”. Pas pak muajsh, ajo ka kaluar për herë të një nga provimet më të vështira të licencimit, provimin e Shtetit të New York-ut (“Bar Exam”).

Po ashtu, Edita Shkreli, ka më shumë se tetë vite që punon pranë Gjykatave të Bronx-it dhe të White Plains, kryesisht për rastet komerciale, të divorceve dhe rasteve të tjera.

Ajo zotëron njohuri të larta juridike, që së bashku me eksperiencat e saj e bëjnë atë të kualifikuar për të marrë vendime të drejta për komunitetin në tërësi.

Përpos një avokate me eksperiencë, ajo është edhe një pedagoge e përkushtuar në mësimdhënie,  profesion të cilën ajo e ushtron tek New York Law School, që në vitin 2019.

Përpos anës profesionale, Edita Shkreli, ka dhënë dhe vazhdon të jap kontributin e saj për komunitetin shqiptar, ku është anëtare pranë Bronx Community Board dhe, po ashtu është edhe anëtare e Bordit të organizatave jofitimprurëse, “Neighborhood Initiatives Development Inc”. dhe “Albanian-American Educators Association”.

Për tërë këtë angazhim të saj në komunitet shqiptarë, ajo shpesh quhet edhe “Lidere e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan”.

Edi Shkreli ka lindur në Shkodër, por në Amerikë ka migruar bashkë me prindërit e saj kur ajo ishte vetëm 13 vjeç. E gjithë kjo për t’i shpëtuar trazirave të mars-it të vitit 1997 në Shqipëri.