Trepça

Edhe Trepça u ofron punëtorëve pensionim të parakohshëm

Pensionim i parakohshëm me pagë 60 për qind deri në kohë pensionimi dhe marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës me përfitime të përcaktuara u janë ofruar punëtorëve të ndërmarrjes Trepça.

Ngjashëm sikur që ndodhi me punëtorë të “Telekomit” edhe Trepça ka ofruar dy pako dalëse si pjesë të reformave e ristrukturimeve të brendshme.

Punëtorët që duna të dalin në pension para kohe kanë mundësi të zgjedhin dy pako.

Pakoja e parë, parasheh pensionimin e parakohshëm për punëtorët që mbushin moshën e pensionimit gjatë viteve 2023, 2024, 2025 dhe 2026. Për ta parashihet që për periudhën deri në pensionim të marrin 60 për qind të pagës aktuale bruto.

Ndërkaq pakoja e dytë parasheh pagesën e 24 pagave përnjëherë për ata që duan vullnetarisht ta shkëpusin marrëdhënien e punës me Trepçën.

“Pas procesit të ristrukturimit mund një numër i punëtorëve të mos e gjejë më perspektivën e tyre në strukturën e re organizative. Kjo, ngase detyrat dhe përgjegjësitë në fushëveprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë mund të mos përkojnë me profilin e tyre profesional apo edhe ngase disa prej pozitave të punës të cilat janë të duplifikuara edhe mund të shuhen. Nën kushte të tilla, kompania është e detyruar që t’ua thotë të vërtetën punëtorëve të saj të lartpërmendur dhe të mos ua humbasë perspektivën e tyre të mëtejme. Ushqimi i iluzioneve të rrejshme për punëtorët të cilëve kompania nuk mund t’u ofrojë më perspektivë pas ristrukturimit, është jo vetëm humbje e perspektivës për të njëjtit/at, por është edhe abuzim me të drejtat e tyre për të qenë të informuar drejtë dhe me kohë”.

Oferta vlen për periudhën 21 qershor deri më 21 korrik.

Kompania ruan të drejtën që jo të gjithë punëtorëve që aplikojnë t’u mundësohet aprovimi i kërkesës për pako dalëse vullnetare.

“Punëtorët që nuk do të përfitojnë nga ky program i pakove dalëse duhet të përgatiten për një rrugëtim me shumë punë, aktivitet dhe veprimtari të matshme me sistemin e ri të menaxhimit të performancës, që hyn në fuqi në kohën e miratimit të strukturës së re organizative”, thuhet në letrën e Trepçës për punëtorët e saj.

Pakoja e ngjashme qe ofruar edhe për punëtorët e Telekomit. Kjo ndërmarrje njoftoi ditë më parë se ka 302 punëtorë kanë shfrytëzuar të drejtën e largimit vullnetar.