Albi Mall Superliga

Edhe shkalla e dytë refuzon ankesën e Llapit, fitorja i mbetet Malishevës

Skuadra e Llapit kishte shtruar një ankesë në Federatën e  Futbollit të Kosovës, ku kërkonte fitore me rezultat zyrtar në ndeshjen ndaj Malishevës, kjo pasi pretendohej se skuadra vendase kishte aktivizuar një lojtar pa të drejtë loje.

Megjithatë, ashtu si shkalla e parë edhe shkalla e dytë e ka hedhur poshtë këtë ankesë dhe fitorja është regjistruar sipas rezultatit të arritur në dushe (2:1) për Malishevën, shkruan Ballkani.info.

Vendimi i Komisionit për Ankesa:

Me datë 18.03.2024 “KF Llapi 1932” ka ushtruar ankesë në procedure të rregullt në shkallën e dytë e FFK-së, gjegjësisht komisionit për ankesa ku janë plotesuar të gjitha kushtet për shqyrtimin e kësaj lënde.

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, në përbërje Haki Xhemjali kryetar, Sitki Baftiu dhe Remzi Azemi anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 21.03.2024 shqyrtoi ankesën e “KF Llapi 1932” me nr Reference 1522/1, ushtruar me datë 18.03.2024 ku atakohet vendimi i komisionit të garave i datës 15.03.2024. Komisioni i ankesave pas shqyrtimit të lëndës duke trajtuar me kujdes të gjitha shkresat dhe aktet normative në fuqi në mënyrë unanime nxjerri këtë:

V E N D I M

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë vërteton se vendimi i komisionit të garave për ndeshjen e zhvilluar me datë 13.03.2024 në mes të KF Malisheva dhe ’’KF Llapi 1932’’ ka qenë i drejtë dhe se ankesa e KF LLapi 1932 hedhet poshtë.

ARSYETIM

Komisioni për ankesa në përbërje të plotë me datë 21.03.2024 ka shqyrtuar me kujdes këtë ankesë, të gjitha shkresat e lëndës, vendimin e komisionit të garave dhe në mbeshtetje të rregullores së garave të FFK ka vërtetuar vendimin e komisionit të garave të datës 15.03.2024, duke e cilësuar si vendim të drejtë i cili mbetet në fuqi.

Në ankesen e ’’KF Llapi 1932’’ atakohet vendimi i komisionit të garave duke u thirrur në nenin 62 të propozicionit të garave i cili përcakton rregullat e përgjithshme dhe afatet kohore në procedimin e ankesave në rrjedhen e pergjithshme të kampionatit. Përjashtimisht ketij rregulli kur gjirot zhvillohen të dielen dhe të mërkurën atëherë kompletimi i lëndës së ankesës dhe taksimi i saj duhet të bëhet brenda 24 orëve nga përfundimi i ndeshjes së zhvilluar. Loja në mes të KF Malisheva dhe ’’KF Llapi 1932’’ është zhvilluar ditën e mërkurë të datës 13.03.2024 dhe gjiroja pasuese në kuadër të kampionatit ka qenë në fundjavë, atëherë për rastin në fjalë duhet zbatuar rregulli i nenit 72, të Rregullorës se garave të FFK-së. Me këtë rast ’’KF Llapi 1932’’ nuk i ka respektuar afatet kohore me rastin e procedimit të taksimit për këtë lendë dhe me të drejtë ankesa është cilësuar e pa afatshme. Duke u bazuar në të gjitha faktet referuar më lart vlerësohet se vendimi i shkallës së parë është drejtë dhe në perputhje me aktet normative të FFK-së.

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, mori këtë vendim bazuar në nenin 120 pika A të Rregullores Disiplinore. /Ballkani.info