Edhe pse i suspenduar, zyrtari s’e ndal veturën e shtetit (FOTO)

Keqpërdorimi i aseteve publike nuk ka të ndalur. E më e theksuar është dukuria e keqpërdorimit të veturave thuajse në gjithë institucionet e Kosovës.

Së fundi është rasti i një zyrtari nga Vushtrria, i cili edhe pse i suspenduar nga puna, gjatë ditëve të vikendit është parë me veturë zyrtare nëpër qendrat tregtare në Fushë Kosovë.

Ndonëse Qeveria e Kosovës më parë ka marrë vendim që asetet e shtetit, sidomos veturat zyrtare të përdoren vetëm për kryerjen e detyrave zyrtare, një gjë e tillë nuk po respektohet nga të punësuarit në sektorin publik.

Ende janë të shumta rastet që me vetura të shtetit zyrtarët po shkojnë në pushime, ahengje familjare apo edhe në ndonjë aktivitet tjetër që s’ka të bëjë me punën.

Së fundi është rasti i një zyrtari nga Vushtrria, i cili edhe pse i suspenduar nga puna, gjatë ditëve të vikendit, më saktësisht më 25 maj, është parë me veturë zyrtare nëpër qendrat tregtare në Fushë Kosovë.

FaktePlus ka mësuar se kjo veturë i takon Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Uniteti”, e cila i është dhënë për shfrytëzim nga Komuna e Vushtrrisë. Vetura me targa 02Z-01-27 të shtunën e kaluar është përdorur për të kryer punë private në Fushë Kosovë.

E që veturën e ka përdorë në ditë vikendi e ka pranuar edhe vetë zyrtari në fjalë, Fadil Bahtiri, i cili është menaxher në kompaninë “Uniteti”, në Vushtrri.

Ai ka thënë se të shtunën (më 25 maj), ka qenë në Fushë Kosovë me veturën zyrtare për qëllime të punës, pasi që kompania punon edhe ditëve të shtuna.

“Të shtunën, shefi i autoparkut, Murtez Murtezi, më ka kërkuar ta shoqëroj me veturë zyrtare deri në Fushë Kosovë, tek kompanitë e ndryshme nga të cilat furnizohemi me pjesë të makinerisë (kamionevë)”, është shprehur Bahtiri.

Ai tutje ka tentuar të arsyetohet se në vendin ku është fotografuar vetura zyrtare, ka ndaluar vetëm sa për t’u furnizuar me ushqim.

“Në vendin ku është fotografuar vetura, aty afër është piceria për të cilën punëtori në fjalë ka marrë ushqim për ngrënje. Kompania “Uniteti” punon 6 ditë në javë, nga e hëna deri të shtunën me kujdestari të mbrëmjes dhe të dielën, po ashtu kujdestari. Unë si menaxher jam i obliguar në çdo kohë ta bëjë mbikëqyrjen e punëtorëve dhe çdoherë kur është interesi i kompanisë. Veturën e shfrytëzojë sipas nevojës së kërkuar të cilën e kam në shfrytëzim 24 orë”, është arsyetuar Bahtiri.

Por, Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson menaxheri, Fadil Bahtiri, nuk ka qenë në detyrë (ditën e shtunë), kur është parë me veturë zyrtare në Fushë Kosovë. Kjo pasi ai ka qenë i suspenduar nga puna disa ditë më parë.

E suspendimin e Bahtirit e ka konfirmuar edhe kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Uniteti” në Vushtrri, Gazmend Morina, i cili tha se suspendimi ka ndodhur me datë 21 maj të këtij viti.

“Shefi Operativ i Njësisë në Vushtrri, Fadil Bahtiri, ka pasur autorizim për shfrytëzimin e këtij automjeti. Mirëpo, për shkak të tejkalimit të autorizimeve që dalin nga detyrat e tij në një rast tjetër, personin në fjalë më 21 maj 2019 e kam suspenduar për 30 ditë nga puna dhe rastin e tij e kam dërguar në Komisionin Disiplinor të kompanisë”, është shprehur Morina.

Ai tutje ka theksuar se nga dita e suspendimit Bahtiri nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë asnjë aset të kompanisë.

Kryeshefi Morina tutje ka paralajmëruar se do të merren masa të tjera nëse vërtetohen raportimet.

“Kjo nënkupton faktin se z. Bahtiri nuk ka të drejtë prej kësaj date të shfrytëzojë asnjë aset që është pronë apo në posedim të kompanisë. Nëse vërtetohet se ai e ka shfrytëzuar automjetin gjatë vikendit, atëherë unë si kryeshef ekzekutiv do të fillojë masat e brendshme disiplinore për personin në fjalë”, ka thënë Morina.

Kujtojmë se kohën e fundit janë shpeshtuar rastet kur edhe qytetarët po dërgojnë fotografi në media dhe po publikojnë në rrjetet sociale të tyre raste të shumta ku shihet se dukuria e keqpërdorimit të veturave zyrtare nuk ka të ndalur.