Vajza nga Peja, Edisa Shoshi vazhdon të korr suksese në fushën e edukimit. Së fundi, Edisa ka arritur ta fitojë bursën e studimit prej rekord 219 mijë dollarësh në Filadelfia të Amerikës, respektivisht nga “Drexel University”.

Edisa është pranuar me këtë bursë për studime në Inxhinierinë Elektrike.

Ajo aktualisht studion me burs të fituar në Universitetin e Debrecenit në Hungari.

Të kujtojmë se studentja pejane ka fituar më parë po ashtu bursë rekorde prej 120 mijë dollarësh në Valparaiso University, partneri i Smart Center në SHBA.

Kjo ishte bursa më e madhe që ky Universitet ofron dhe Edisës ia mbulon të gjitha shpenzimet shkollore.

Mirëpo, sukseset e Edisës nuk përfundojnë këtu. Ajo vitin e kaluar ka fituar bursë edhe nga një Universitet në Hungari në të cilin aktualisht është duke studiuar.

Edisa në qershor të vitit të kaluar është kthyer nga Nju Jorku me medalje të brozntë për një projekt mjaft interesant që lidhet me fibra optike.

Sa ishte në klasën e nëntë në shkollën fillore, Edisa Shoshi ka fituar në projektin ATOMI, projekt ky që shpërblen nxënësit me aftësi dhe inteligjencë të lartë.

Ndërkohë, në klasën e 11-të ajo përfundoi testin e njohur për gjuhën angleze, TOEFL.

Si maturante, Edisa zgjedhet nxënësja më e mirë në Kolegjin “Mehmet Akif” në Lipjan. Në dhjetor të vitit të kaluar e ka përfunduar edhe testin SAT.

Gjithashtu edhe nga klasa 6 deri në të 12-të, ka marrë pjesë dhe ka fituar dhjetëra mirënjohje e certifikata në gara të ndryshme.

Edisa Shoshi momentalisht është studente e shkëlqyeshme e Mekatronikës në Universitetin e Debrecenit në Hungari.

Ajo pret rezultate të mira për bursë edhe në tri Universitete prestigjioze në SHBA. Edisa gjithashtu është përzgjedhur nga ambasada japoneze si nxënësja favorite për studime në Japoni. /Ballkani.info/