Analisti politik Albert Krasniqi, ka deklaruar se është e pamundshme që të iniciohet procedurë për shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi, edhe nëse dekretin e tij për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, Gjykata Kushtetuese e shpall anti-kushtetues.
Krasniqi nga “Demokracia plus”, ka thënë se presidenti nuk është një noter, siç po pretendohet nga disa, por presidenti është ai që vlerëson duke vendosur kritere mbizotëruese.
“Presidenti mund të shkarkohet vetëm nëse bën shkelje të rëndë. Është rasti me presidentin Fatmir Sejdiu, kur Gjykata dha vlerësimin e saj për dy pozita që mbante e që ishte në kundërshtim. Tash edhe nëse del se është në kundërshtim me Kushtetutën ky dekret, do të jetë vështirë të iniciohet procedurë për shkarkim të Thaçit. Presidenti nuk është një noter, siç po pretendohet. Pikërisht ne aktgjykimin me rastin e Sejdiut, ku Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar kompetencat e presidentit, në mënyrë shprehimore ka thënë se presidenti gëzon kompetenca politike, sidomos në raste kur zgjedh mes dy kandidatëve, të cilët janë në raundin e dytë. Kjo është paraparë qysh atëherë. Presidenti është ai i cili vlerëson duke vendosur kritere mbizotëruese, se cila prej partive politike ka më shumë gjasa”, ka thënë Krasniqi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi e cila njëkohësisht kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme.
Në vendimin e gjykatës thuhet se ajo “vendosi të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020” dhe të pezullojë mënjehërë zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën e parë të këtij diapozitivi”.







