Të gjithë duan Antoine Griezmann. Pa u mbushur një vit nga rinovimi i kontratës me Atletico Madridin (në atë kohë Barcelona priste përgjigjen nga Griezmann), sulmuesi francez është penduar, duke i hapur rrugë largimit nga “Wanda Metropolitano”.
Por situata nuk është më si më parë, sepse Atletico ka të gjithë të drejtën të kushtëzojë të ardhmen e futbollistit, duke pranuar ofertën më të mirë financiare.
Së fundmi nga Spanja është raportuar se Barcelona mund të ridalë në skenë, ndërsa sot mediet prestigjioze angleze konsiderojnë Manchester Unitedin, Bayernin dhe Paris Saint Germainin si rivalët më të fortë që mund të plotësojnë kërkesat financiare të sulmuesit dhe klubit madrilen.
Griezmann nuk ka mundur ta kapërdijë dështimin e “Los Colchoneros” në të gjitha frontet. Skuadra e Simeones u eliminua para kohe nga Kupa e Mbretit, në Champions dështoi të ruante ndaj Juventusit epërsinë e dy golave të shënuar në “Wanda Metropolitano”, ndërsa në La Liga duket krejt e pamundur që në 10 ndeshjet e mbetura të rikuperohen 10 pikë diferencë më Barcelonën.
27-vjeçari, kur pranoi rinovimin, nuk e kishte menduar një dështim të tillë, ndaj dëshiron që të ndryshojë ambient gjatë merkatos së verës.
Sipas spanjolles “Sport”, “Djajtë e Kuq” kanë epërsi ndaj rivalëve për të siguruar shërbimet e Griezmann edhe për faktin që francezi do të luante në të njëjtën skuadër me bashkëkombësit e tij Pogba e Martial.







