Edhe Herolind Shala në dyshim për ndeshjen me Çekinë

Herolind Shalën e ka përcjell fatkeqësia, pasi mesfushori i Valerenga e ka thyer dorën gjatë një seance stërvitore dhe rrezikon t’i mungojë Kosovës përsëri edhe në ndeshjet e shtatorit në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020.

Shala, i cili i humbi dy ndeshjet e Kosovës, barazimin me Malin e Zi (1-1) dhe fitoren kundër Bullgarisë (2-3) në muajin qershor shkaku i një lëndimi muskulor, ka pësuar frakturë në dorën e djathtë gjatë një seance stërvitore të mërkurën, njofton klubi i tij nga Oslo.

Si pasojë, Shala rrezikon t’i mungojë përsëri Kosovës edhe në mbase dy ndeshjet më vendimtare të saj në fushatën e parë kualifikuese për Kampionat Evropian, kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë, edhe pse është herët të dihet se çfarë periudhe kohore do të mungojë ai.

“Momentalisht është shumë herët të thuhet se sa do të mungojë Shala, por gjendja e tij do të vlerësohet të hënën”, thuhet në njoftimin e Valerenga.

Ky është lëndimi i dytë i mesfushorit defensiv brenda pak muajve. Klubi ka njoftuar se ende është herët të vihet saktësisht sa do të mungojë 27-vjeçari.

27-vjeçari ishte mungesë e madhe për Bernard Challandes në mesfushën e verdhekaltërve në dy ndeshjet e kaluara, duke lënë boshllëk në qendër të fushës.

Kombëtarja dardane përballet tashmë me mungesa të theksuara edhe për takimet vendimtare ndaj Çekisë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe kundër Anglisë vetëm tri ditë më pas në Southampton.

Për shkak se jashtë kanë mbetur Arbër Zeneli, Milot Rashica dhe Hekuran Kryeziu – tre lojtarët më vendimtarë në skuadër.

Zeneli, lojtari më i mirë i vendit në vitin 2018, është duke u rikuperuar momentalisht nga një lëndim i rëndë në gju të cilin e pësoi pikërisht në ndeshje kundër Malit të Zi.

Rashica, ndërkohë, u lëndua në fundjavë gjatë një ndeshjeje me Werder Bremen në Bundesligë duke e tërhequr muskulin në kofshë. Trajneri i tij, Florian Kohfeldt, konfirmoi se 23-vjeçari nuk pritet të kthehet deri pas ndeshjeve të kombëtareve.

Ndërsa, Kryeziu është ende duke u rikuperuar nga lëndimi i gjatë në ligamente të gjurit.

loading…