Situata e tensionuar

Edhe dy ndeshje të tjera të Ligue 1 anulohen pas protestave në Francë

Dy ndeshje tjera të Ligue 1 janë shtyer për një datë të pa caktuar pas protestave të organizuara në të gjithë Francën.

Protestat në Francë filluan në muajin nëntor pasi që qytetarët francezë ishin të revoltuar me ngritjen e taksës, por pastaj u zgjerua në një lëvizje kundër Qeverisë.

Protestat dhe demonstratat kanë krijuar rrëmujë në tërë Francën, veçanërisht në Paris, gjersa janë anuluar një numër i madh i ngjarjeve sportive.

Montpellier, skuadër të cilës iu anulua edhe ndeshja e javës së kaluar, nuk do të zhvillojë as takimin e kësaj xhiroje ndaj Nantesit, me policinë që është fokusuar te protestat dhe nuk është në gjendje të ofrojë sigurinë e duhur për sfida të futbollit.

Poashtu edhe ballafaqimi i së premtes mes Nice dhe Saint Ettienes është shtyer, me klubin vendas që synon të zhvillojë këtë ndeshje të dielën.

Ligue 1 ka konfirmuar edhe datat e ndeshjeve të anuluara gjatë javës së kaluar të cilat do të zhvillohen me 15 dhe 16 janar të vitit të ardhshëm.