Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës është marrë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në prag të takimit të Brukselit. Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-së, ka thënë se Kurti duhet të merret me obligimet ndërkombëtare që duhet t’i përmbushë dhe jo me Republikën Serbe, që nuk është për krahasim por për vlerësim si fakt politik dhe juridik.

I pyetur për të komentuar deklaratën e Kurtit se nuk do të lejonte, siç tha ai, krijimin e një forme të Republikës Serbe në veri të Kosovës, Dodik u përgjigj se ishte kjo Republika Serbe që kurrë nuk do të lejonte që Bosnja dhe Hercegovina të pranojë pavarësinë e Kosovës. 

“Nuk është është normale të rrëmbejë tokën e të tjerëve dhe ta shpallë me forcë parashtet siç është Kosova sot. Ky është thelbi i inatit të Kurtit ndaj serbëve”,  ka theksuar për Srna Dodik.

Me Kurtin është marrë sot edhe mentori i Dodikut, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka fluturuar sot drejt Brukselit për takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ku në rend dite do të jetë çështja e të zhdukurve dhe draft-statuti i Asociacionit. Gjatë fluturimit është kujdesur që të dalë me një mesazh për opinionin në Serbi duke dashur të përçojë se po e zhvillon një betejë të ashpër me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe “ndihmësit” e tij, siç i ka quajtur Vuçiq Azem Vllasin dhe deputetin shqiptar në kuvendin e Serbisë Shaip Kamberin.