Antonio Conte mund të mos kthehet për të stërvitur në Serie A. Pavarësisht interesimit të Interit dhe Romës, në fakt, ish trajneri i Juventusit mund të pranojë stolin e gjigantëve bavarezë, Bayern.

Klubi nga “Allianz Arena”, i zhgënjyer nga puna e Niko Kovac, sidomos në Ligën e Kampionëve, po mendon seriozisht për ndryshimin e trajnerit. Sipas “Corriere dello Sport”, kryesuesit e Bundesligës kanë menduar t’i bëjnë një ofertë të rëndësishme Conte.

Trajneri nga Salento, aktualisht nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij, sepse preferon të vlerësojë me kujdes ofertat, pas pushimit traumatik nga drejtimi i Chelseay.

Interi dhe Roma me siguri mund të shpresojnë, edhe pse zikaltërit, siç konfirmoi Marotta, mund të konfirmojnë në fund të sezonit trajnerin Spalletti.

Nga ana e tyre, verdhekuqtë kryeqytetas nuk mund të ofrojnë garanci adekuate për një trajner si Conte. Ky i fundit, në anën tjetër, përveç një angazhimi milioner, kërkon një merkato dhe ekip shumë konkurrues, ndaj me siguri nuk do të pranonte shitjen e pjesëve më të mira çdo vit.

Pavarësisht nga kjo, sipas “Corriere dello Sport”, Roma e ka testuar këtë pistë dhe ka parë se Conte nuk i mbyll plotësisht dyert për të. Gjithsesi, ndjenja është se vajtja e tij në kryeqytet është e destinuar të mbetet vetëm një ëndërr e presidentit Pallotta.

Pista më bindëse për të ardhmen e Conte është ajo që vjen nga Gjermania dhe mban emrin e Bayernit.