Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim në kabinetin e tij Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit reciprok për të zhvilluar projekte konkrete, sidomos hapjen e Federatës së Ragbit në Kosovë.

Ministri Gashi tha se janë të gatshëm të punojnë bashkërisht në realizimin e projekteve të përbashkëta, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen suksese dhe të plotësohen nevojat e të rinjve tanë dhe shkëmbimi i përvojave.

“Ne jemi të gatshëm për të jetësuar idenë e formimit të Federatës së Ragbit në Kosovë dhe do të angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim e të japim kontributin tonë për zhvillimin e këtij sporti me pak traditë në vendin tonë”, u shpreh ministri Gashi.

Në anën tjetër, ambasadori O’Connell, falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe për gatishmërinë e tij në lidhje me krijimin e Federatës së Ragbit në Kosovë. Ambasadori britanik u shpreh se është i kënaqur për këtë angazhim të ministrit dhe të MKRS-së që t’u jepet hapësirë sporteve të reja në Kosovë.