Analisti Imer Mushkolaj në intervistën “45/45” në KosovaPress foli edhe për mundësinë për të ngritur një qeveri teknike, ose për zëvendësimin e Haradinajt nga një tjetër mandatar në postin e kryeministrit.

Sa i përket qeverisë teknike, ai tha se nuk ka vullnet nga partitë për një gjë të tillë, pasi kërkohet një marrëveshje e gjerë politike. Sipas tij, për një qeveri teknike do të duhej edhe mbështetja e LDK-së, pasi Vetëvendosje nuk do të pranonte në asnjë mënyrë.Ndërsa, si mundësi është edhe zëvendësimi i Haradinajt nga një tjetër mandatar që do të udhëhiqte qeverinë, siç u veprua në vitin 2005, por Mushkolaj kujton deklaratën e dorëheqjes së kryeministrit në detyrë kur tha se mandatin po ia dorëzonte sovranit.

Më shumë se partive politike, Mushkolaj shprehet se janë ndërkombëtarët ata që do të bëjnë të pamundurën që të gjendet një figurë që do të krijonte një qeveri të re pa shkuar vendi në zgjedhje.

Sidoqoftë, analisti shprehet se sfidë për kryeministrin e ardhshëm do të jetë taksa dhe marrëveshja me Serbinë, të cilat çështje ndërkombëtarët duan t’i mbyllin sa më shpejtë.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Mushkolaj deklaroi se një premtim i tillë, i cili po bëhet prej vitesh, është tallje me qytetarët e Kosovës.Ai tha se nuk e kupton se si të njëjtit politikanë kanë fytyrë të shfrytëzojnë këtë premtim, ndërkohë që qytetarët po e lëshojnë vendin me viza pune drejt vendeve perëndimore.

loading…