Trajneri portugez i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, e ka pranuar se ai nuk i ka dëgjuar kritikat nga tifozët e klubit për të, pasi që nuk mban kontakte me tifozët.
Manchester Unitedi i humbi dy pikë të rëndësishme në ndeshjen e së shtunës kundër Southamptonit, e cila përfundoi me rezultat 2-2. Për ta fituar këtë pikë, skuadra e Mourinhos u detyrua ta përmbyste rezultatin pasi që brenda 20 minutave të parë, ishte duke humbur 2-0, përcjell Gazeta Express.
Kjo ishte ndeshja e tretë radhazi e Premierligës pa fitore për Manchester Unitedin, duke mbetur kështu plot 16 pikë larg liderëve dhe rivalëve të qytetit, Manchester Cityt, të cilët e kanë filluar sezonin në mënyrë të jashtëzakonshme, për dallim nga fqinjët e tyre.
Ky rezultat bëri që “Djajtë e kuq” të mbesin tetë pikë larg vendit të katërt, kualifikues për Ligën e Kampionëve. Pas kësaj, Mourinho mori shumë kritika nga tifozët e klubit, por portugezi thotë se ai nuk ka dëgjuar kritika të tilla.
“Jeta ime nuk është një jetë shumë publike. Unë nuk jam një person që qëndron në rrugë gjatë gjithë kohës dhe mban kontakte me tifozët e klubit, nuk jam kështu”, ka thënë Mourinho gjatë konferencës për shtyp, para ndeshjes kundër Arsenalit.







