Sulmuesi i Interit Romelu Lukaku thuhet se ka arritur marrëveshje personale me skuadrën e Chelseat, ku kjo e fundit e dëshiron transferimin e tij me çdo kusht, raporton “football.london”.
Lukaku raportohet se ka pranuar të nënshkruajë kontratën pesë vjeçare që krerët e “Bluve” ia kanë ofruar, dhe tani mbetet vetëm akordi mes dy klubeve.
Ylli belg është shumë pranë një transferimi në “Stamford Bridge”, disa muaj pasi që e ndihmoi Interin drejt titullit të kampionit në Serie A për sezonin 2020/21.
Lukaku ishte pjesë e Chelseat edhe në karrierën e tij të hershme, para se të transferohej tek skuadra e Evertonit në qershor të vitit 2014.
Sezonin që lamë pas, 28 vjeçari bëri 44 paraqitje në të gjitha garat për skuadrën e Interit, duke regjistruar 30 gola dhe 10 asistime mbi emrin e tij.







