Kryeministri në detyrë Albin Kurti sot gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, ka deklaruar se veprimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re, janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik.
Ai tha se si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët e Kosovës asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar.
“Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”, është shprehur Kurti.
Në takim ishin të pranishëm ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ai i Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadori i Italisë, Nicola Orlando dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Kryeministri në detyrë njoftoi ambasadorët edhe mbi mbarëvajtjen e vendimeve të Qeverisë për menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 dhe me situatën aktuale me numrin e të infektuarëve si dhe gjendjen e tyre.
Ai po ashtu i njoftoi se pas Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria në detyrë po zhvillon përgatitjet e nevojshme për hartimin e pakos së dytë financiare, e cila do të ketë për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë pas goditjes nga pandemia.







