Kombëtarja e Kosovës sot ka udhëtuar drejt Shkupit, atje ku nesër do të ballafaqohet me Maqedoninë e Veriut për fazën p;ay-off të Ligës së Kombeve e cila zhvillohet me fillim nga ora 20:45.

Grupi i tifozëve “Dardanët” organizuan një përcjellje madhështore deri në pikën kufitare me Maqedonin duke kënduar këngë motivues në mbështetje të futbollistëve para kësaj ndeshje kaq të rëndësishme.

Gjatë këtyre momenteve, në media u raportua se nga brenda autobusit, njëri nga lojtarët e skuadrës, më saktësisht Benjamin Kololli, u dëgjua duke i ofenduar tifozët e fjalët “Kqyri këta m….”

Për të sqaruar situatën, KosovaPress ka kontaktuar me përfaqësuesin e “Dardanëve”, Lorik Berisha, i cili mohoi të ketë ndodhur diçka e tillë.

“Jo kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne ishim jashtë dhe derisa po këndonim këngën “Mundni këta m….”, dikush brenda autobusit e ka pyetur Kolollin se çfarë po thonë dhe ai ia ka përsëritur fjalët tona dhe aty ka ndodhur keqkuptimi.”, deklaoi Berisha.

Më tutje, Berisha për KosovaPress theksoi se ata kishin planifikuar që të udhëtojnë së bashku me ekipin drejt Shkupit, dhe se ata madje kishin edhe marrëveshje me grupin e tifozëve “Ballasitat” për bashkëpunim, por që kjo nuk ka ndodhur për shkak të rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë.