E zbehtë dhe e buzëqeshur, Kate Middleton shfaqet për herë të parë në publik

Princesha e Wellsit, Kate Middleton është shfaqur për herë të parë në publik pas diagnostikimit me sëmundjen e Kancerit. Shkak për paraqitjen publike të Princeshës Kate ishte ceremonia e paradës ushtarake vjetore e cila shënon ditëlindjen monarkut britanik, Charles i III. Kate, përshëndeti turmat dhe buzëqeshi gjerësisht nga ballkoni i Pallatit Buckingham.

Princesha, 42 vjeçe, kaloi dy javë në spital në muajin janar pasi iu nënshtrua një operacioni të madh abdominal. Dy muaj më vonë ajo njoftoi në një video-mesazh se testet kishin zbuluar praninë e kancerit dhe se ajo po kurohej me kimioterapi parandaluese. Ajo është ende në trajtim, por shëndeti i saj i përmirësuar bëri që ajo të mund të shfaqej në publik për herë të parë që nga dhjetori.

Me gjithë shirat e dendur, turmat u rreshtuan në rrugë duke brohoritur ndërsa karroca kalonte, duke tejkaluar numrin e një grupi të vogël protestuesish që mbanin pankarta që bënin thirrje për t’i dhënë fund monarkisë.

Zyra e Kate, Kensington Palace, ka refuzuar të japë ndonjë detaj në lidhje me llojin e kancerit ose për trajtimin e saj, por vetëm kanë dekluarar se kimioterapia parandaluese kishte filluar në shkurt.

Për Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, dalje publike e Princeshës Kate është një moment reflektimi për të gjithë ata që përballen me sëmundjen e rrezikshme.

“Është padyshim një lajm i mrekullueshëm. Unë mendoj se i gjithë vendi do të jetë me Princeshën e Uellsit duke i uruar shërim asaj. E pashë deklaratën e saj më herët. Mendoj se ishte e guximshme. Unë jam i sigurt se do të sjellë momente ngushëllimi për kaq shumë njerëz të tjerë që po përballen me sfida të ngjashme shëndetësore, kështu që unë mendoj se ajo meriton një lavdërim të madh për atë që bëri dhe do të jetë mirë ta shohim atë”.

Sëmundja e Kate Middleton ka përkuar me atë të Charles, 75 vjeç, i cili gjithashtu ka qenë nën trajtim për kancer. Ai u kthye në detyrat publike në prill, megjithëse angazhimet e tij janë kufizuar për të minimizuar rreziqet për shërimin e tij.